Connect with us

Lajme

Shkarkohet kryeshefi i “Trainkosit”, miku i Adem Grabovcit (DOKUMENT)

Publikuar

më

Bordi i ndërmarrjes “Trainkos” ditën e djeshme ka shkarkuar nga detyra kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Gelor Shala.

Në vendimin e siguruar nga KosovaNews shkarkimi i Shalës është bërë për mungesë të performacës dhe rezultatit financiar negativ ndër vite, ku bazuar në raportet vjetore dhe pasqyrat financiare kjo ndërmarrje kishte operuar me miliona euro.

 “Mungesa e performancës dhe rezultatit financiar negativ ndër vite kjo bazuar në raportet vjetore financiare. Në këtë mënyrë ndërmarrja publike ishte e varur vazhdimisht nga fondet e buxhetit shtetëror”, thuhet në vendimin e shkarkimit.

Arsye tjetër sipas Bordit ishte rënia e performancës në vazhdimësi dhe mosrealizimi i planit të biznesit. “Opinionet e dhëna ndër vite nga Zyra Kombëtare e Auditimit të cilat ishin të modifikuara dhe përmbanin gjetje serioze në vazhdimësi.

Neglizhenca dhe moszbatimi i detyrave financiare, mungesa e iniciativës dhe kreativitetit menaxhues për të rivitalizuar ndërmarrjen dhe mungesa e vizionit për të arritur objektivat strategjike të ndërmarrjes”, janë arsyet e renditura në vendim.

Gelor Shala ishte kryeshef i ndërmarrjes Trainkos që nga viti 2014. Ndërsa në vitin 2020 atij i ishte vazhduar mandati edhe për pesë vjet nga Bordi i kaluar i ndërmarrjes.

Sipas burimeve të KosovaNews Gelor Shala është edhe mik i familjes së Adem Grabovcit, ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ai ishte emëruar në këtë pozitë në kohën kur Adem Grabovci ishte “Shef i shefave të krejt Kosovës dhe më gjërë” sic e quante veten Grabovci në aferën e përgjimeve “Pronto”.