Connect with us

Kosovë

Rasti i Elvedina Hajdarit, përfundon shqyrtimi gjyqësor, kërkohet dënim meritor ndaj të akuzuarit

Publikuar

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas, është mbajtur sot seanca përfundimtare në rastin një dhunë në familje, ku e dëmtuar është Elvedina Hajdari. Ajo dyshohet se gjatë muajit maj 2022 ka qenë viktimë e dhunës në familje nga ish-bashkëshorti i saj A.B., nga Drenasi.

Seanca u mbajt, në mënyrë që palët të japin fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurori i rastit, Esat Rama, tha se mbështet fjalën e të dëmtuarës dhe kërkoi nga gjykata dënim meritor, sipas ligjeve në fuqi. Këtë e kërkoi edhe mbrojtësi i të dëmtuarës, Gazmend Halilaj, që potencoi se klientja e tij disa herë është rrezikuar nga i akuzuari me vetëdije, pavarësisht se kishte urdhër mbrojtje ndaj saj. Fjalën e tij e mbështeti edhe e dëmtuara Elvedina Hajdari, e cila theksoi se pret dënim maksimal nga gjykata.

Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit A.B., Azdren Hoxha, të gjitha provat e paraqitura nga prokuroria i cilësoi si të pabaza dhe që nuk vërtetojnë asgjë. Sipas tij, pala e dëmtuar u mundua që përmes kërkesës së përjashtimit të prokurorit të bëjë presion tek gjykata, meqë i njëjti, sipas tij, nuk u shkonte përshtati palës së dëmtuar.

Pas fjalëve përfundimtare të palëve, gjyqtari shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa vendimi pritet të merret konform afateve ligjore.

NA NDIQ NË FACEBOOK