Connect with us

Kosovë

Ky është hajni që bënte kërdi në Mitrovicë, dyshohet për së paku katër grabitje

Publikuar

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje. Një ndër hajnat që dyshohet për disa grabitja tashmë ka rënë në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Bujar Maliqin, i cili është identifikuar pasi Policia kishin nisur hetimet për një rast të grabitjes, që ndodhi muajin e kaluar në marketin QTA në Mitrovicë.

I dyshuari, 40-vjeçar po dyshohet për së paku katër grabitje që kanë ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në janar, si dhe në muajin shkurt.

Pasi Policia e zbuloi të dyshuarin, u krye bastisje në shtëpinë e tij në Zhabar të Mitrovicës, ku edhe u prangos i dyshuari, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

Kujtojmë se Maliqi dyshohet se më 21 shkurt, në QTA në Mitrovicë, nën kërcënimin e armës ka marrë 800 euro para të gatshme dhe më pas kishte ikur. Por pas qëndrimit në arrati për një kohë, ai përfundoi në prangat e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.