Kosovë
Dhunë në një familje në Kaçanik: Burri e bën për spital bashkëshorten, ajo e denoncon në Polici

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Gabricë të Kaçanikut, ku një burrë dyshohet se e ka rrahur bashkëshorten e tij. Kjo nuk është hera e parë që viktima ka përjetuar dhunë, prandaj ka vendosur ta denoncojë të dyshuarin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje mes tyre, para dy netësh në shtëpinë e tyre.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e ka goditur atë me një shkop, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor në spital.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të njëjtit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Dhuna në familje” dhe “Sulm”.





















