Bota
Zbulohet megaskandali, izraelitët që manipuluan zgjedhjet në 30 vende

Mediat britanike i kanë kushtuar ditën e sotme vëmendjen një megaskandali të zbuluar së fundmi, ku një grup izraelitësh dyshohet se ka manipuluar zgjedhjet në 30 vende të botës, duke përdorur mënyra nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe e të cilave të paligjshme.
Sipas The Guardian, grupi drejtohej nga një ish-efektiv i forcave speciale i quajtur Tal Hanan, i njohur ndryshe me pseudonimin “Jorge”.
Nga hetimi u zbuluan detaje sesi skuadra e “Jorge”, i cili drejton një shërbim privat, ndërhynte në zgjedhje pa lënë gjurmë.
Hanan iu tregoi gazetarëve të infiltruar që ndiqnin këtë hetim se shërbimet e tij ishin në dispozicion të agjencive të inteligjencës, fushatave politike dhe kompanive private që donin të manipulonin opinionin publik, aktivitet të cilin ai e kishte përdorur në Afrikë, Amerikën Jugore dhe Qendrore, SHBA dhe Evropë.
Në më shumë se 6 orë takime të regjistruara Hanan dhe ekipi i tij folën sesi mblidhnin informacione mbi rivalët, duke përfshirë përdorimin e teknikave të ndryshme për të hyrë në llogaritë e Gmail dhe Telegram.
Pjesa më e madhe e strategjisë bazohej te ndërprerja dhe sabotimi i fushatave rivale.






















