Pesimist rreth takimit të 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel është shprehur nga Munihu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në margjinat e Konferencës së Sigurisë, ai ka theksuar rëndësinë që në takimin e radhës të dihet qartë se për çfarë do të diskutohet
Jo të lehta i ka përkufizuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedimet e zhvilluara me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në Mynih.
Në takimin e realizuar në kuadër të Konferencës së Mynihut, ku temë qendrore është lufta në Ukrainë, krahas qortimeve të ashpra rreth moszbatimit të sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiqi bëri të ditur se është biseduar për dialogun me Kosovën.
Borrelli u ka dërguar ftesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Vuçiqit për një takim të radhës në Bruksel, më 27 shkurt.
“Kam thënë se jam i gatshëm (për takim), por le të dihet se për çfarë do të bisedojmë. Serbia është e gatshme që të punojë në gjithçka që duhet, por e dini se cila është renditja e hapave…. Nuk jam optimist (për takimin), duke i njohur Kurtin dhe Prishtinën”, tha Vuçiqi.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrelli njoftoi se në takim me Vuçiqin e ka theksuar domosdoshmërinë për avancimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe rëndësinë e rreshtimit të Serbisë përkrah politikave të përbashkëta evropiane të Jashtme dhe të Sigurisë.
Të dyja çështjet, Borrelli i kualifikoi si kyçe për shtegun evropian të Serbisë.
Dialogu ishte temë diskutimi edhe në takimin e ditës së parë të konferencës së Munihut, mes Vuçiqit e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe në atë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz e presidentin francez, Emmanuel Macron.
Në një njoftim pas takimit, Scholzi e kualifikoi planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve si mundësi historike për Kosovën dhe Serbinë.























