Connect with us

Kosovë

Të rinjtë kosovarë meraklinj të armëve: Për një ditë zbulohen plot raste, në mesin e të dyshuarve edhe të mitur

Publikuar

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpeshherë plagosje të qëllimshme, të cilat me raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se vetëm dje janë zbuluar disa raste kur persona të ndryshëm janë kapur me armë ilegale.

Fillimisht në rrugën ”Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë, Policia ka ndalur një veturë, në të cilën ishin disa të rinj, njëri prej të cilëve u kap me armë zjarri. Zyrtarët policorë ia gjetën të riut revolen në brez, që më pas u sekuestrua, ndërsa i njëjti u shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij.

Edhe në fshatin Qifllak të Rahovecit, Policia ka arrestuar një 16-vjeçar, të cilit iu gjet një armë gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga ana e Policisë, pas denoncimit të një rasti të kanosjes. Arma që u gjet është konfiskuar nga njësiti policor që kreu kontrollin, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku edhe ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.

Armë ilegale u gjet edhe në një veturë në fshatin Polac të Skenderajt, derisa Policia po patrullonte në një pikë kontrolli. I dyshuari 32-vjeçar u kap në flagrancë më armë të zjarrit, të cilën zyrtarët policorë ia gjetën brenda veturës. Pas përfundimit të kontrollit, i riu u dërgua në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas edhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kurse një rast tjetër është denoncuar nga një grua në Shtime, e cila ka njoftuar Policinë se nipi i saj posedon pushkë, disa thika e elektroshok, të cilat i ka dorëzuar në stacion policor, nga frika se mund të ndodhë diçka. Si rezultat i denoncimit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të hapet rast.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.”.

NA NDIQ NË FACEBOOK