Kosovë
Sulmohet Policia në Gjakovë, has në rezistencë – arrestohet i dyshuari 23-vjeçar

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, ku Polici është sulmuar nga një person, i cili i pengoi zyrtarët policorë gjatë intervenimit në një rast ku dikush e kishte bllokuar rrugën me veturë.
Sinjali mëson se posa Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ka kërkuar nga shoferi i veturës që ta largojë automjetin e tij, por hasën në rezistencë nga i dyshuari, i cili nisi me fyerje e sharje ndaj policëve dhe aty situata u tensionua.
Për ta vënën situatën nën kontroll, Policia fillimisht kërkoi nga i dyshuari mjetin e identifikimit, por i njëjti nuk përfilli urdhrat, duke vazhduar me të njëjtën sjellje që kaloi në sulm fizik. Sipas informacioneve të para, i dyshuari i ka sulmuar policët, çka i shtyri këta të fundit të ndërmerrnin masa.
Pavarësisht pengesave dhe rezistencës në të cilën hasën, Policia e ka vënë të dyshuari nën kontroll, duke i arrestuar dhe dërguar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”.





















