Connect with us

Shëndetësi

Shpiket “hunda elektronike” që monitoron shëndetin

Publikuar

Shkencëtarët në Universitetin e Massachusetts Amherst, kanë njoftuar për shpikjen e një nanoteli, 10,000 herë më të hollë se një fije floku, i cili vjen me kosto të ulët pasi krijohet nga bakteret e zakonshme dhe mund të akordohet për të “ndjerë erëra”- si një grup i madh gjurmuesish kimikë – duke përfshirë ato që lëshohen nga njerëz të prekur me sëmundje të ndryshme, si astma dhe sëmundje të veshkave.

Revista shkencor PhysOrg, shkruan se mijëra nga këto tela të akorduar posaçërisht, mund të nuhasin kimikate të ndryshme dhe mund të vendosen si sensorë të vegjël në veshje, duke u lejuar mjekëve një mjet të paprecedentë për monitorim të komplikimeve të mundshme shëndetësore. Shkencëtarët kanë thënë se duke qenë se telat në këtë “hundë elektronike” rriten nga bakteriet, pajisja është organike e biodegradueshme dhe shumë më “e gjelbër” se çdo nanotel inorganik.

Thuhet se ideja për të bërë këtë zbulim ka ardhur nga shkencëtarët Derek Lovley, profesor i mikrobiologjisë dhe Jun Yao, profesor i inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, të cilët janë inspiruar nga hunda.

“Hunda e njeriut kanë qindra receptorë, secili i ndjeshëm ndaj një molekule specifike. Këta receptorë janë shumë më të ndjeshëm dhe më efikas se çdo pajisje mekanike ose kimike që mund të projektohet. Ne pyetëm veten se si mund të shfrytëzojmë vetë dizajnin biologjik në vend që të mbështetemi në një material sintetik,”- ka thënë Yao.

Me fjalë të tjera, ekipi ka pyetur veten nëse ata mund të punonin me natyrën për të nuhatur sëmundjen – dhe rezulton se ia kanë dalë, duke përdorur një bakter të njohur si Geobacter sulfurreducens, gjenin e së cilit e kanë bashkuar me AND-në e Escherichia coli, një nga bakteret më të përhapura në botë.

Nanotelat tradicionalë, të bërë nga silikoni ose fibra karboni, mund të jenë shumë toksikë – nanotubat e karbonit janë vetë kancerogjenë – dhe përfundojnë si mbetje elektronike, jo të biodegradueshme. Lëndët e para të tyre mund të kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe inpute kimike për t’u përpunuar. Por për shkak se nanotelat e Lovley dhe Yao rriten nga bakteret e zakonshme, ato janë shumë më të qëndrueshme.

“Një nga gjërat më emocionuese në lidhje me këtë linjë kërkimi, është se ne po e marrim inxhinierinë elektrike në një drejtim thelbësisht të ri. Në vend të telave të bërë nga burime të pakta të papërpunuara që nuk do të biodegradohen, bukuria e këtyre nanotelave është se ju mund të përdorni dizajnin gjenetik të jetës për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme, të gjithanshme, me ndikim të ulët dhe me kosto efektive,”- ka thënë shkencëtari Yao.

NA NDIQ NË FACEBOOK