Kosovë
“Liroma banesën, ki me pasë probleme”/ Mërgimtari nga Gjermania kërcënon gruan, i dërgon foto me armë

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Nga dhuna psikike e verbale gratë nuk ‘shpëtojnë’ as kur bashkëshortët e tyre jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit, larg familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi me një grua në Fushë Kosovë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi që ka pranuar mesazhe kërcënuese nga bashkëshorti i saj i cili ndodhet në Gjermani.
Sinjali mëson se i dyshuari nëpërmjet rrjetit social Viber ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të viktimës, duke i kërkuar asaj që ta lirojë banesën. Sipas tij, në rast se nuk vepron siç thotë ai, gruaja do të ketë probleme dhe këtë ia ka vërtetuar duke i dërguar fotografi me armë zjarri.
E frikësuar dhe e shqetësuar nga veprimet e burrit, gruaja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari. Ndërkohë viktima ka shkuar te familja e saj.

















