Lajme
Ky është i arrestuari nga Peja që dyshohet se u përfshi në vrasjen në Tiranë

Në lidhjen me ngjarjen, një person është arrestuar mbrëmë që dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen në Shqipëri.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari Gj.K është ndaluar për 48 orë.
“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtarë) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në përgjigjien e zëdhënësit të prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.
Insajderi mëson se i arrestuari është Gjelosh Krasniqi, 49 vjeçar nga Peja i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë vepër. Përkatësisht i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Atentati tronditi Tiranën në orët e vona të natës së 30 tetorit, ku viktima sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë. Edhe pse zona ishte me siguri të shtuar dhe kamera, së paku dy persona me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj.
Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Pasi kishte mbaruar dasma në Lezhë, ai së bashku me të afërmit e tij kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti.
Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.
Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë, vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati.
Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pasi në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola, raporton Top Chanel.
Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Ata bënin lëvizje të kontrolluara, për shkak të këtij konflikti dhe nuk ekspozoheshin në publik. Megjithatë, kjo mbetet vetëm një pistë hetimi.
Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



















