Connect with us

Religjion

Çfarë do t’i themi Allahut?

Published

on

(TREGIM KËSHILLUES)

Një djalosh i ri tregon:

Ne ishim tre miq. Në fakt, ishim katër, sepse i katërti ishte shejtani. Ne ishim të pamatur, të mashtruar, kokëtrashë dhe budallenj.

Atyre ditëve shkonim në gjueti. Në gjueti të vajzave. Ju flisnim atyre fjalë të bukura, pas së cilave vetmoheshim me to.

Pas pak kohëve u bëmë si ujqër. Nuk kishim kurrfarë mëshire në “aktivitetet” tona. Zemrat dhe ndjenjat tona na kishin vdekur. Nuk shihnim asgjë të shëmtuar në këto veprimet tona. Shkonim nga një mëkat në tjetrin. Kështu e kalonim kohën. E gjithë jeta jonë ishte reduktuar në vajza, në festime të ndryshme, makina, plazhe etj.

Deri kur erdhi dita të cilën kurrë nuk do ta harroj!!!

Atë ditë, shkuam si zakonisht në vilën tonë. Gjithçka ishte gati: vajzat, pijet … Megjithatë, e kishim harruar darkën. Njëri prej nesh u ul në makinën e tij dhe u nis për në qytet për të blerë ndonjë ushqim. Ishte rreth orës 6 në mbrëmje.

Kur kaloi një orë, dhe shoku im nuk u kthye, unë u shqetësova, andaj u nisa për në qytet.

Gjatë rrugës për në qytet, hasa në një flakë të fortë pranë rrugës. U afrova më afër dhe e njoha makinën e shokut tim. Ajo ishte rrotulluar në pjesën anësore.

Nuk isha në vete. Iu afrova makinës. Nëpërmjet një tymi të dendur dhe flakës, e vura re shokun tim, i cili ishte i tëri në gjak. U përpoqa ta tërhiqja, por e pashë se gjysma e trupit të tij ishte tërësisht në prush.

Megjithatë, ishte ende gjallë. Disi e nxora dhe e lëshova në tokë.

Pas pak sekondash ai i hapi sytë dhe filloi të bërtiste: “Zjarr, zjarr!”

Vendosa ta çoj në makinën time dhe ta dërgoj në spital, por ai më pengoi duke më thënë me zë të lartë: “Nuk ka dobi, nuk mund të arrijmë!”

Lotët po më rridhnin derisa e shikoja shokun tim duke vdekur para syve të mi.

U befasova kur shoku im filloi të bërtiste: “Çka do t’i them Atij?! Çka do t’i them Atij?!”

Unë e shikova me habi dhe e pyeta: “Kujt? Kush është ai?”

Allahut!” u përgjigj me një zë, i cili dukej se po del nga një pus i thellë.

Në ato momente e ndjeva një frikë e cila ma përshkoi trupin dhe ndjenjat. Shoku filloi të qante për disa çaste dhe kjo ishte gjëja e fundit që bëri.

Nga ajo ngjarje kanë kaluar disa ditë, por unë kurrsesi nuk po mund ta largoj nga sytë imazhin e shokut, i cili po përsëriste: “Çka do t’i them Atij?! “Çka do t’i them Atij?!

Unë kurrsesi nuk kam mundur t’i shpëtoj kësaj skene të tmerrshme. Dhe pastaj e pyeta veten: “E unë, çka do t’i them Atij?” Në atë moment ndjeva një emocion të çuditshëm. Qava. Asnjëherë nuk kam ndierë diçka të tillë. Ishte një ndjenjë e cila ma shpërtheu gjoksin.

Në atë moment e dëgjova thirrjen e muezinit. Ai e thirri ezanin e sabahut: “Allahu ekber, Allahu ekber!” E kuptova se kjo thirrje po më drejtohej mua. Kjo thirrje më thirri që ta ngre perden e jetës sime të errët dhe të nisem kah drita. U ngrita u lava, mora abdest dhe u pastrova nga të gjitha tmerret që kisha bërë në vitet e fundit. Që nga ajo ditë, kurrë nuk e kam lënë namazin.

Mua mu dha mundësia, mirëpo, shokut tim jo.

Ruajuni nga mëkatet dhe mosbindja ndaj Allahut.

Merrni mesazhin nga ky tregim dhe përcilleni tek të tjerët.

Shpresoj se do të kemi përgjigje të mirë kur të pyetemi, përndryshe, Allahu na ndihmoftë.

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK