Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, në natën Vitit të Ri vizitoi zyrtarët policorë në pikën kufitare në “Merdare”, stacionin policor “Jugu ” në Prishtinë dhe njësitet patrulluese në terren.
Sikurse çdo vit, Policia e Kosovës me zyrtarët e saj janë në kryerje të detyrës, duke u angazhuar me përkushtim për të garantuar rendin qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës në mbarë vendin.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të ndarë pak momente festive me eprorët dhe zyrtarët në detyrë si një familje e madhe policore, për t’i falënderuar për punën e tyre, si dhe për t’i inkurajuar në përmbushjen e mëtejme të detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë profesionale.
“U.d. Drejtori Fehmi Hoti, në emër të Policisë së Kosovës ju uron të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës festën e Vitit të Ri, e po ashtu të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe garanton mbështetjen e plotë të PK-së për qytetarët e vendin, për ofrim të shërbimeve efikase policore, për të garantuar një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët tanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.





















