Connect with us

Kosovë

Pas Prishtinës e Mitrovicës edhe Peja ndalon qarkullimin e trotinetëve nëpër sheshet e qytetit

Publikuar

Që nga muaji gusht i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për ndalimin e trotinetëve, biçikletave dhe të gjitha mjeteve me veprim motorik ose elektrik në sheshet e kryeqytetit. Po ashtu është ndaluar lëvizja edhe në vendet ku ka frekuentim të madh të këmbësorëve.

Vendim të njëjtë një muaj më vonë e kishte marrë edhe Komuna e Mitrovicës.

Ndërkaq së fundi edhe Komuna e Pejës ka ndaluar lëvizjen e trotinetëve elektrik në shesh.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se vendimi ka nisur të implementohet gjatë ditës së hënë.

“Në hyrje të shëtitore janë vendosur shenjat e reja të komunikacionit që thonë: Ndalim i veturave, ndalim i motoçikletave, ndalim i trotinetëve”.

Komuna e Pejës bën të ditur se shenjat do të vendosen edhe te disa vende të tjera ku qarkullojnë këmbësorët.

Ndërkaq, Prizreni dhe Gjilani janë nga qytetet e mëdha që nuk kanë marrë ndonjë vendim për ndalimin e përdorimit të trotinetëve elektrikë

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj  ka thënë se kjo komunë nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e trotinetëve.

“Jo nuk kemi marr ndonjë vendim për ndalimin e trotinetëve. Por me ligj të komunikacionit trotinetët nuk janë paraparë si mjet transportues. Pritet një amendament në Ligjin e Transportit Publik, nëse futet trotineti, atëherë ligji e rregullon këtë pjesë”, ka thënë Lamaj.

Edhe nga Komuna e Gjilanit, kanë thënë për Telegrafin se sa i përket kësaj çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim.

“Jo nuk është marrë ende ndonjë vendim për ndalim e trotinetëve elektrik në sheshin e Gjilanit”, ka thënë Besart Selimi nga zyra për Informim.

NA NDIQ NË FACEBOOK