Religjion
O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni?

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë e vërtetojmë se Muhamedi (savs), është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Vëllezër të dashur,
Hutbeja e sotme titullohet: O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni?
Ne po jetojmë në një kohë kur bëhen shumë fjalë, kurse bëhen pak ose nuk bëhen aspak vepra. Pse? Sepse është shumë më lehtë të flasësh, të kritikosh, e të shesësh mend, sesa të punosh dhe të tregosh me veprimet e tua se si duhet të jetë.
Tregohet se një njeri i devotshëm po kalonte nëpër qytet dhe takoi një vajzë të vogël me rroba të grisura që po kërkonte lëmoshë. Duke kaluar pranë saj, njeriu i devotshëm mendoi: “O Zot, si mund ta lejosh një gjë të tillë? Bej dicka!” Në mbrëmje, gjatë ditarit të lajmeve televizive, ai pa skena të tmerrshme të fëmijëve që vdisnin nga uria. Ai përsëri iu drejtua Zotit: “O Zot, çfarë varfërie! Hajde, bëj diçka!” Pasi e shikoi ditarin, ai shkoi në shtrat për të fjetur, dhe më pas i erdhi një zë në ëndërr, duke iu përgjigjur pyetjeve të tij të mëparshme: “Unë e kam bërë tashmë pjesën Time, Unë të krijova ty!”
Vëllezër të dashur!
Për fat të keq shumica prej nesh jemi si ky njeriu i devotshëm, vetëm flasim se si duhet, por nuk bëjmë asgjë konkrete, sepse besojmë dhe mendojmë se është obligim dhe detyrë e dikujt tjetër, dhe jo e jona. Ne nuk mund ta kuptojmë se nëse ne nuk lëvizim, nëse ne nuk ndryshojmë, as jeta dhe mjedisi ynë nuk do të ndryshojnë.
Shkrimtari amerikan Richard Beach ka thënë: “Nëse lumturia juaj varet nga ajo që bën dikush tjetër, atëherë besoj se ju keni problem.”
Prandaj Allahu i Plotfuqishëm në thirrjen e Tij drejtuar besimtarëve thotë: “O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni? Është neveri e madhe te Allahu të thoni atë që nuk e punoni!” (es-Saff, 2-3.)
Vëllezër të dashur!
Këto dy ajete janë shpallur më shumë se 1400 vjet më parë, për t’i paralajmëruar sahabët të cilët një gjë e thonin, kurse një gjë tjetër e vepronin. Por unë kam ndjenjën se ne, muslimanët e sotëm, shqiptarët e sotëm, ishim shkak për shpalljen e këtyre ajeteve, sepse në vendin tonë sot të gjithë do të donin diçka të predikonin, por pak kush do të vepronte diçka. (Kur e përdori fjalën predikim, këtu nuk i kam parasysh vetëm hoxhallarët, por edhe johoxhallarët, të gjithë ata që do të donin për diçka se është e gabuar dhe si duhet të jetë)
Në kohën e sahabëve, një burrë erdhi te Ibn Abbasi dhe i tha: “O Ibn Abbas, unë dua t’u predikoj njerëzve.” Ibn Abbasi i tha: “Lirisht mund t’u predikosh, nëse nuk ke frikë prej këtyre tri ajeteve: Ajeti i parë: “A po i urdhëroni njerëzit që të bëjnë mirë, kurse e harroni vetveten?!“ Ajeti i dytë: „O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni?“ Dhe ajeti i tretë: “Shuajbi (a.s.), tha: “Unë nuk do t’jua ndaloj juve gjërat, të cilat vetë do t’i veproj.”
Ne është bërë zakon që të flasim kundër korrupsionit, por sapo të na vijë rasti, përmes lidhjeve e punësojmë ose veten ose ndonjë të afërt. Ne flasim kundër pandershmërisë së politikanëve, por kur vijnë zgjedhjet vendosim shumë lehtë që ta shesim votën për 20 euro. Ne themi se mjekët tanë, profesorët, zyrtarët shtetërorë e fetarë… janë të korruptuar, kurse vetë ne i ndihmojmë me veprimet tona. Ne flasim se rrugët tona janë të ngushta dhe të parregullta, por kur ndërtohet rruga, ne nuk japim as për të ndërtuar ndërtuar, e lëre më të mendojmë për botën e ardhshme, e të japim pak nga toka jonë për të mirën përbashkët. Bëjmë thashetheme për gratë e të tjerëve, për fëmijët e të tjerëve, kurse nuk i shohim fëmijët tanë, që janë edhe më të këqij, sepse nuk kemi arritur t’i udhëzojmë në rrugën e duhur. Ne ju themi fëmijëve që të shkojnë në xhami, të studiojnë, të mos shajnë, të sillen mirë, të mos pinë alkool, të mos shkojnë në bastore, kurse me veprimet tona ua tregojmë të kundërtën. Ne ju themi atyre se ata që i presin pyjet e të tjerëve janë hajdutë, kurse ne i blejmë ato dru prej tyre. Tek Allahu është e njëjtë sikur ai që ka vjedhur, sikur ai që e ka blerë atë që është e vjedhur.
Në përgjithësi: Flasim shumë, por aplikojmë pak.
Kjo nuk është në rregull. Vërtetë nuk është në rregull, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Në Ditën e gjykimit do të sillet njeriu e do të hidhet në Zjarr. Atij do t’i dalin të brendshmet e barkut dhe do të sillet rreth Zjarrit, ashtu siç sillet gomari rreth lëmit të tij. Rreth këtij njeriu do sillen edhe banorët e Zjarrit, të cilët do t’i thonë: “O filan! Ç’të gjeti? A nuk na urdhëroje për të mirë dhe na ndaloje nga e keqja?” Ai iu përgjigjet: “Ju urdhëroja për të mirë, por nuk e veproja dhe ju ndaloja nga e keqja, por e veproja vetë atë.”
Hutben e sotme po e përfundojmë me fjalën e gjigantit të Islamit, Xhelaludin Rumiut i cili thotë:
“Dje isha i mençur, ndaj desha ta ndryshoja botën,
kurse sot jam i urtë, andaj po e ndryshoj vetveten.”
Allahu na ruajtë nga vuajtjet e Xhehenemit, na i falë mëkatet dhe na i pranoftë veprat e mira. Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini


















