Connect with us

Kosovë

Nesër lëshohet rruga “Xhorxh Bush” – E hapur veç për autobusë, taksi dhe vetura të emergjencave

Publikuar

Për disa javë radhazi qarkullimi i automjeteve të ndryshme në Prishtinë, ndryshoi thuajse krejtësisht.

Kjo si shkak i “bllokimit” të rrugës së njohur si “Xhorxh Bush” në kryeqytet, e që ishte një nga rrugët kryesore.

Si fillim kjo rrugë u mbyll për qarkullim duke u vendosur shtëpiza të shumta në shënimin e festave të fundvitit. Por jo gjithçka shkoi ashtu.

Në kuadër të kësaj rruge u mor vendim që qarkullimi në këtë anë të ndalohet krejtësisht, madje duke u shndërruar në shesh apo vazhdim sheshi nga ai “Nëna Terezë” e tutje.

Por së fundi Komuna e Prishtinës ka njoftuar për ndryshimin e radhës, e që kjo rrugë do të lëshohet në qarkullim vetëm për linjat urbane të autobusëve, taksitë, dhe rastet emergjente të veturave.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Musliu njoftoi se nga dita e nesërme rruga “Xhorxh Bush”, do të jetë funksionale. Por ajo do të jetë e qarkullueshme për qytetarët këmbësorë, por jo edhe për makina.

Pavarësisht se kjo është kundërshtuar vazhdimisht, Musliu tregoi se hyrja do të jetë për parkingun nëntokësorë e cila ka mundësi kyçje vetëm në hyrje, por edhe dalje.

Ndërsa ai shtoi se për dalje do të shfrytëzohet ana e rrugës së njohur si “nga Lesna”.

“Nesër hapet, do të funksionoj për autobus, taksi, vetura emergjente në këtë rast Policia, Zjarrfikësit dhe Autoambulancat. Ka me qenë hyrja prej parkingut nëntokësorë, ka mundësi kyçje vetëm në hyrje ndërsa në dalje jo, për dalje shfrytëzohet hyrja tjetër nga Lesna”, tha Musliu.

I pyetur se a do të ketë ndryshime të tjera në këtë projekt, ai tha se se projekti do të pësoj ndryshime sepse nuk është i finalizuar ende.

Sipas tij, në këtë projekt është e planifikuar të shtrohet e gjithë rruga me kalldrëm dhe disa investime të tjera në infrastrukturë.

Kurse për qarkullimin të veturave të tjera, Musliu mohon që do të ketë ndryshim të konceptit.

“Projekti final do më shumë kohë për t’u finalizuar, për arsye se aty parashihet për tu shtruar e gjitha me kalldrëm dhe me u bë disa intervenime të tjera në infrastrukturë. Por, për momentin realisht koncepti nuk ndryshon përsëri do të jetë i hapur vetëm për autobusë, taksi dhe vetura emergjente, por në aspektin infrastrukturor pëson ndryshime”, shtoi ai.

NA NDIQ NË FACEBOOK