Lajme
Kishte mbetur i bllokuar mes shkëmbinjve, dalin pamjet e shpëtimit të 43-vjeçarit në Shqipëri

Kanë dalë pamjet e nxjerrjes së 43-vjeçarit që kishte mbetur i bllokuar në një zonë malore në kanionet e Holtës në Gramsh.
Ai kishte shkuar si turist atje, por për shkak të terrenit të vështirë, i ishte pamundësuar lëvizja.
Mbrëmë operacioni u ndërpre për shkak të errësirës, teksa 43-vjeçari Andrea Dervishi i cili kishte mbetur i bllokuar në zonën e thepisur, u zbrit në një vend më të sigurt për të kaluar natën, por nuk mundi të nxirrej.
Operacioni për nxjerrjen e tij ka vijuar gjatë ditës së sotme edhe me pjesëmarrjen e forcave RENEA dhe rreth mesditës është arritur të nxirret shëndoshë e mirë.
Gjithashtu burime për Panorama.al bëjnë me dije se Dervishi u shoqërua nga një efektiv i RENEA-s dhe një banor i zonës deri sa u arrit të shpëtohej.
Njoftimi i policisë:
Gramsh/Renea i erdhi në ndihmë dhe shpëtoi 43-vjeçarin që kishte mbetur mbrëmjen e djeshme, në kanionet e Gramshit.
Operacioni i evakuim-shpëtimit nga forcat speciale Renea u zhvillua në një terren shumë të vështirë.
43-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasin A. D., i cili kishte mbetur i bllokuar midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur “Kalaja e Tërvolit, Gramsh, ku kishte shkuar për të vizituar kanionet, ju informojme se:
Pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e djeshme, u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse.
Për shkak të errësirës dhe terrenit mjaft të vështirë, ndërhyrja në kanione mbrëmjen e djeshme ishte e pamundur.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës, me 43-vjeçarin, dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale Renea.
Gjatë operacionit të evakuim-shpëtimit, pas disa orësh në një terren mjaft të vështirë, forcat speciale Renea bënë të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
Shtetasi A. D. që kishte mbetur në kanione ka falënderuar forcat speciale Renea dhe të gjitha shërbimet e tjera që morën pjesë në operacionin e evakuimit dhe shpëtimit të tij.




















