Connect with us

Lajme

Gdhendësi i historisë së qytetit në dru, Anastas Petridhi 3 dekada jetë me drurin

Publikuar

Ky është Anastas Petridhi, gdhendësi i historisë së qytetit në dru. Prej 36 vitesh realizon suvenire me imazhe të Gjirokastrës dhe figura historike të figurave të shquara të kombit tonë. Drugdhendjen e nisi në vitin 1986 pranë ish ndërmarrjes artistike.

“Qysh në fëmijëri e kam patur qejf pasion. Kisha pak dorë në vizatim, çma shikonte syri, doja ta bëja në çfarë do lloj materiali, kryesisht në dru. Hapat e mia të para kanë qenë në ish ndërmarrjen artistike shtetërore në atë sistem. Atje kemi mësuar komplet elementet e këtij profesioni. Na vendosin pranë një mjeshtri më të vjetër dhe nëpërmjet tij mësonim të gjitha detajet e kësaj pune.”

Ndryshimi i sistemi ashtu si mjaft shqiptare detyroi Anastas Petridhin të emigronte në shtetin grek, ku edhe aty ushtroi po këtë profesion.

“Ishim të rinj, mora rrugën e emigrimit në Greqi. Aty me përvojën që kisha, por duke përfituar edhe nga përvoja e gdhendësve të atij vendi, arrita që edhe aty të hapja një dyqan dhe për ata kohë, 12 vjet kemi kaluar mirë. Ishte periudha që punë kishte.”

Guri i rëndë peshon në vend të vet, ndaj dhe Anastasi pas disa vitesh la Greqinë për t’u kthyer tek rrënjët e tij.

“Këtu vendosa të hapja një dyqan. Fillimisht në zonën e re të qytetit. Me zhvillimin e turizmit, dhe hyrjen në UNESCO në 2005 vura re se këtu në pazarin e ri të Gjirokastrës, filloi një rritje e numrit të vizitorëve të huaj dhe vendas dhe vendosa të hap edhe dyqan edhe punishte.”

Realizimi i një punimi kërkon kohen e tij, kjo në varësi të madhësisë se suvenirit dhe porosisë.

“ Kam vendosur të bëj gjithmonë ato pjesë të qytetit që janë më të vizitueshme, dhe kryesorja është kalaja. Atë e kam bërë në madhësi të ndryshme. por duke përfshirë edhe element të ndryshëm që na karakterizojnë. Sigurisht që produktet e tjera janë edhe element nga figurat tona kombëtare, si Skënderbeu e përkrenarja, por edhe figura të tjera, edhe Kadaresë.”

Pavarësisht pasionit apo kënaqësisë që i fal ky profesion, Petriti thotë se vështirësitë nuk mungoje.

“Fatkeqësisht sepse e mira është që sezoni turistik të jetë deri në dhjetor. Por akoma s’janë krijuar kushtet. Është punë sezonale. Nja katër a 5 muaj. Ne jemi në një periudhë mbijetese. Por ne e shfrytëzojmë për të bërë më shumë produkte.”

Kërkon më shumë vëmendjen për artizanët.

“ Duhet punuar më shumë në drejtim të organizimit. Sepse sikur bëheshin më mirë në vitet e kaluara. Duke u organizuar sa më mirë ata artizanë që vijnë nga qytete të tjera, duke i mbështetur edhe nga ana financiare, do bëhej më mirë promovimi i tyre dhe do të bëj më mirë përgatitja e tyre.”

Gjirokastra pjese e trashëgimisë UNESCO gjatë viteve të fundit ka njohur investime sa i takon rikonstruksionit te zonës muzeale duke rritur dhe numrin e turisteve.

NA NDIQ NË FACEBOOK