Kosovë
Bien në prangat e Policisë disa të kërkuar nga Gjykatat, po i iknin dënimit me burg

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë të ikin nga duart e drejtësisë. Vetëm dje dhe sot kanë rënë në prangat e Policisë disa të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.
Një 32-vjeçar është arrestuar dje në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi i njëjti po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Vushtrri. Ai pas arrestimit ka paguar gjobën dhe më pas është liruar.
Burgut i shpëtoi njëjtë edhe një person nga Mitrovica që po shijonte lirinë nga arratia. 31-vjeçari që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës pasi ishte i dënuar me burgim, ka paguar gjobën e dënimit të zëvendësuar dhe më pas është liruar.
Njëjtë kanë vepruar edhe dy të dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, të cilët po kërkoheshin për t’i dërguar në vuajtje të dënimit. Pasi kanë paguar gjobën, të dy qytetarët e Rahovecit janë liruar.
Në prangat e Policisë ka rënë edhe një i ri në fshatin Janqisht të Malishevës. 23-vjeçari që po kërkohej nga Gjykata Themelore në Gjakovë, është liruar nga urdhërarresti pasi ka paguar gjobën.
Por kështu nuk ka ndodhur me një 25-vjeçar në Hanin e Elezit. Ai u arrestua sot dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit në Burgun e Hajvalisë.



















