Connect with us

Lajme

Zhdukja e Ervis Martinajt, familjarët akuzojnë politikën, Rrumbullaku: Jemi në rrugë të mbarë për zgjidhjen e misterit

Published

on

Kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku u pyet nga gazetarët paraditen e sotme edhe në lidhje me fatin e Ervis Martinajt, i cili është i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022.

Rrumbullaku u përgjigj shkurt duke thënë se policia ishte në rrugë të mbarë për zgjidhjen e rastit në fjalë duke theksuar se sot kishte dalë në konferencë për shtyp për masat e sigurisë në lidhje me Samitin e 6 dhjetorit.

 “Policia është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit që ju i referoheni. Zoti kryeministër ka kërkuar zgjidhen për të cilën ne mendojmë e gjykojmë që jemi në rrugë të mbarë për të zgjidhur rastin”, tha ai në një kohë kur është në përfundim edhe ultimatumi i Ramës ndaj policisë për zgjidhjen e këtij rasti.

Më herët, familjarë të Martinajt deklaruan në media akuza të forta ndaj politikanëve të rendësishëm në vend duke theksuar se ata kanë gisht në zhdukjen e djalit të tyre.

Martinaj u zhduk në fillim të gushtit dhe pamjet e fundit në lidhje me të janë fiksuar pranë një qendre tregtare në Tiranë. Deri më tani ka patur mjaft spekulime, por as prokuroria dhe as policia nuk kanë thënë diçka më tepër mbi rastin në fjalë. /abcnews.al

NA NDIQ NË FACEBOOK