Connect with us

Kosovë

Reagon Bekim Jashari: Turp… pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njërën anë dhe propagandave serbe

Publikuar

Pas dënimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim, ka ardhur një reagim edhe nga një anëtar i familjes Jashari.

Është djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi, i cili thotë se vendimi i sotëm për dënimin e Salih Mustafës është dëshmi që lufta jonë ende nuk ka përfunduar, duke shtuar se “luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë sot po e humbim fatkeqësisht dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta”.

Ai shton se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njërën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe “akademikët” tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë.

“Kjo që po ndodhë sot a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë.  Sot të gjithë jemi UÇK, sot nuk duhet të jemi të asaj apo kësaj partie, sot është vonë për të mos u bërë e pamundur nesër, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare të njohur nga aleatët tonë ndërkombëtar”, ka shkruar Bekim Jashari.

Ai tutje tha se Gjykata Speciale nuk mund të dënojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali në emër të popullit të Kosovës, sepse populli i Kosovës është vet UÇK-ja.

“Ai po dënohet në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shëtitin lirshëm po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë.  Turp!”, ka shkruar në reagimin e tij Jashari.

NA NDIQ NË FACEBOOK