Sport
“Qytetar Nderi”, në Vlorë nderojnë Sokol Kushtën


Sokol Kushta, një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar është nderuar këtë të shtunë me titullin “Qytetar Nderi”, një çmim i akorduar në marsin e vitit të shkuar, por për shkak të pandemisë ceremonia u shty, për t’i dorëzuar ish-lojtarit të Kombëtares dhe Flamurtarit titullin e merituar. Në Ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Vlorës ishin prezent familjarë të Kushtës dhe shumë figura të shquara të futbollit shqiptar. Ceremonia nisi me himnin kombëtar dhe një dokumentar dedikuar jetës dhe karrierës së Sokol Kushtës.
Xhaxha i legjendës së futbollit, kompozitori Shpëtim Kushta, Todi Driza, mjeshtër i madh sporti, ish kapiteni i Flamurtarit Kreshnik Çipi, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka vlerësuan kontributin e Kushtës, duke e konsideruar si një nga lojtarët më të dalluar të historisë së futbollit shqiptar.
Vetë Kushta, falënderoi të gjithë për titullin e marrë duke e konsideruar si një vlerësim të jashtëzakonshëm për të.
Kushta do të mbahet mend nga të gjithë për eliminimin e Partizanit të Beogradit nga garat e Kupës UEFA dhe çoi peshë zemrat e gjithë shqiptarëve. Gjatë karrierës së tij, Sokol Kushta luajti 322 ndeshje, ndërsa mbetet deri më sot lojtari i vetëm shqiptar i nominuar për çmimin Topi i Artë.






















