Religjion
Pasojat e rrezikshme të përgojimit dhe shpifjes

Vëllezër dhe motra, gjendja e muslimanëve sot është më shumë se shqetësuese. Secili prej nesh është i obliguar ta analizojë gjendjen tonë dhe të përpiqet t’i gjejë shkaqet e kësaj gjendjeje, në mënyrë që të bëjmë një plan të përshtatshëm për evitimin e saj. Nëse këtë analizë e bëjmë përmes prizmit të Kuranit, do të gjejmë përgjigje të qarta. Shumica e problemeve tona aktuale janë shkaktuar nga:
1. Largimi nga Allahu dhe udhëzimi i Tij;
2. Injorimi i namazit;
3. Qëndrimi jo korrekt ndaj prindërve dhe të moshuarve;
4. Mos shoqërimi me Kuranin;
5. Konsistenca në mëkate;
6. Mos praktikimi i mbrojtjes me lutjet e mëngjesit dhe mbrëmjes.
Sot muslimanët janë larguar plotësisht nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe ky është shkaku kryesor i të gjitha problemeve të tjera. Thjesht, njeriu sa më larg që është nga Allahu – është më afër Iblisit. Është i ekspozuar ndaj intrigave të llojllojshme të cilat Iblisi ia plason nëpërmjet mediave, rrethit mjedisor, arsimit …
Nga ky problem rrjedhin të gjitha të tjerat, sepse kriza e besimit (imanit) është krizë e të gjitha krizave. Në iman bazohet morali, dhe nëse nuk ka moral, atëherë ndodh anarkia dhe përhapen të gjitha format e sjelljeve të papërgjegjshme: padrejtësia, korrupsioni, ryshfeti, krimi, zinaja (prostitucioni), prishja e marrëdhënieve ndërnjerëzore, përgojimi, shpifjet, grindjet …
Neglizhimi i namazit është një nga treguesit e dobësimit të besimit. Është vërtetë e pikëllueshme kur dihet me siguri se sot as 10 % të muslimanëve të popullit tonë (shqiptarëve) nuk i falin rregullisht namazet ditore.
Pastaj, mosrespektimi i autoriteteve (udhëheqësve), sidomos i prindërve të tyre, e pastaj të personave të tjerë më të vjetër, dhe në fund, mosrespektimi i asnjë autoriteti në shoqërinë tonë. Kurse një popull pa udhëheqës (autoritet) është popull pa kokë.
Neglizhimi i Kuranit është karakteristika kryesore e muslimanëve të sotëm. Kurani është udhëzimi i Allahut për njerëzit. E vetmja mënyrë e saktë e organizimit të jetës në këtë botë është receta kuranore. Deri sa të arrijmë standardin e vendosur nga Pejgamberi savs, ne nuk do të arrijmë t’i tejkalojmë problemet e theksuara, që është leximi nga një xhuz (20 faqe) të Kuranit në ditë.
Mëkatet sot aq shumë janë familjarizuar tek muslimanët sa që është shumë e vështirë që dikujt t’i tërhiqet vëmendja ndaj tyre. Ai që sot paralajmëron për mëkatet është radikal, ekstrem, intolerant… Muslimanët sot janë zhytur plotësisht në mëkate, janë bërë të varur nga mëkatimi, dhe nuk janë aspak të vetëdijshëm për pasojat e dëmshme të mëkatimit. Kurani na mëson se të gjithë popujt e mëparshëm, pa përjashtim, janë shkatërruar për shkak të mëkateve që kanë bërë. Ka pasur popuj dhe qytetërime më të zhvilluara dhe më të fortë se ne sot, por për shkak të largimit nga Allahu dhe kryerjes së mëkateve janë shkatërruar plotësisht.
Do ta citoj vetëm një shembull: përgojimi dhe shpifja, të cilat te populli ynë aq shumë janë përhapur sa që pothuajse është e pabesueshme, nuk ka asnjë njeri të ndershëm mes nesh, e që dikush nga njerëzit tonë të mos fajësohet në media për gjërat më të vështira dhe më të këqija. Kjo ka shkaktuar përçarje në mesin tonë në përmasa të papara. Dhe ja një ngjarje nga historia e cila në mënyrë figurative e shpjegon rrezikun e përgojimit dhe shpifjes:
Në kohën e Malik b. Enesit, themeluesit të medh’hebit maliki, në Medinë kishte ndodhur një ngjarje e çuditshme pas së cilës ka dalë thënia e famshme: “Askush nuk ka të drejtë të nxjerrë fetva derisa Maliku është në Medine?” Atëherë në Medinë kishte emigruar një banore e shquar e Medinës, të cilën familja e saj e kishte sjellë në gusulhane në mënyrë që gasalka (gruaja që i lanë xhenazet) ta lajë dhe t’ia përgatisë xhenazen. Kur ajo e pa të vdekurën dhe e njohu, me atë rast, me një dozë të cinizmit, deklaroi: Shiko se ku ke ra, a ke ditur “te kapesh” me të gjithë! Kur i tha ajo këto fjalë, Allahu bëri që dora e saj të ngurtësohet dhe të ngjitet për trupin e të vdekurës.
Ajo u përpoq të shpëtojë prej saj, por pa dobi. Të afërmit ndien se diçka po ndodhte, andaj e dërguan një grua që të hyjë në gusulhane dhe të kontrollojë pse gasalka po vonohet kaq shumë. Kur hyri ajo kishte se çka të shihte. Menjëherë doli shumë e shqetësuar dhe i informoi të afërmit për atë që kishte ndodhur.
Atëherë i thirren disa dijetarë që të konsultohen me ta se çfarë të bëjnë.
Disa prej tyre thanë se duhet të pritet një pjesë të trupit të të ndjerës, sepse e drejta e të gjallit është më e fortë se e drejta e të vdekurit.
Grupi i dytë thanë të kundërtën, se duhet të pritet një pjesë e dorës së gasalkës, sepse e drejta e të vdekurit është më e fortë se e drejta e të gjallit.
Grupi i tretë thanë se nuk e dinë se çfarë duhet të bëjnë, sepse argumentet e sheriatit janë të qarta se të drejtat e të vdekurit dhe të gjallit janë plotësisht të barabarta…
Atëherë dikush nga të pranishmit sugjeroi që të ftohet Imam Maliku, sepse ai është më i dituri dhe më i devotshmi i Medinës, që ai ta zgjidh këtë çështje. Dhe ashtu kishte ndodhur, ata e kishin ftuar Imam Malikun, i cili kishte ardhur dhe kur kishte dëgjuar se çfarë kishte ndodhur, ishte ndalur para derës së gusulhanës dhe e kishte pyetur gasalkën se çfarë të keqe kishte thënë në lidhje me të vdekurën, që Allahu kështu po e dënon. Ajo e kishte pranuar se i kishte bërë shpifje asaj për prostitucion.
Ai atëherë kishte urdhëruar që dy gra t’i marrin kamxhikët, të hyjnë në gusulhane dhe të veprojnë në përputhje me dispozitën që Allahu i Plotfuqishëm e ka përshkruar në Kuran, duke thënë:
“Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme (për kurvëri), e nuk sjellin katër dëshmitarë, rrihni ata me nga 80 goditje dhe mos pranoni më kurrë dëshminë e tyre, këta janë njerëz të pabesueshëm.” (en-Nur, 4)
Kjo është e vetmja zgjidhje për këtë rast.
Ato hynë dhe secila prej tyre e goditi gasalkën me kamxhik nga 40 herë. Kur ajo e dyta e goditi për herë të fundit, Allahu i Plotfuqishëm bëri që në atë moment dora e gasalkës të ndahet nga trupi i të vdekurës, dhe kështu të zgjidhet ai rast. Atëherë ishte thënë: “Askush nuk ka të drejtë të nxjerrë fetva derisa Maliku është në Medine?”
Kjo ngjarje e vërtetë në mënyrë ilustrative flet për pasojat e rrezikshme të përgojimit dhe shpifjes. Sot, muslimanët masovikisht e përgojojnë dhe shpifin njëri-tjetrin dhe aspak nuk i shohin pasojat e veprimeve të tyre. Mirëpo, të gjithë pyesin pse e kemi këtë gjendje, pse ne jemi kështu kaq të ndarë, pse muslimanët nuk e respektojnë njëri-tjetrin?!
Dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes të cilin Pejgamberi savs e ka praktikuar rregullisht është sunnet i neglizhuar tërësisht, ndërsa ai paraqet mbrojtje të pazëvendësueshme nga ndikimi i shejtanëve dhe xhinëve.
Prandaj, vëllezër e motra, të përgatitemi seriozisht për tu përballur me këtë sfidë kaq të madhe, e të shpëtojmë nga mëkati i përgojimit dhe shpifjes. Zërat e tillë le t’i fshijmë nga adresat tona, e jo të kënaqemi duke i lexuar dhe duke ua përcjellë të tjerëve.
I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na dhurojë mëshirën dhe udhëzimin e Tij dhe të na bëjë më të mirë! Amin!
Përkthim: Miftar Ajdini
Referencë: Dr. Zuhdija Adiloviq; /zuhdijaadilovic.com/






















