Lajme
Pas 25 viteve punë e urdhërojnë të shpërngulet në vend tjetër/ Qerim Mamuti: Grupi zjarrit hakmerret ndaj meje

Ish kandidati për kryetar në Komunën e Sarajit nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Qerim Mamuti, ka denoncuar sot se e kanë degraduar dhe shpërngulur nga vendi i punës që e kishte ushtruar për 25 vite. I punësuar në Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërime” në objektin e Qendrës Rekreative Sportive në Saraj, Mamuti thotë se me Urdhëresën e sotme, udhëheqësit e ndërmarrjes po e shpërngulin në objektin e kësaj ndërmarjeje në Komunën e Gazi Babës. E gjithë kjo sipas Mamutit, bëhet me porosi të të ashtuaquajturit “grup i zjarrit” brenda BDI-së me qëllim të hakmarrjes politike.
“Pas dy dekadave e gjysmë si përgjegjës i Qendrës Rekreative Sportive Saraj, nga ‘Grupi i zjarrit’ në BDI sot isha i nderuar me vendim dhe largim nga kjo qendër, në qendër tjetër në periferi të Shkupit. Shkaku kryesor i këtij vendimi është organizimi dhe pjesëmarrja ime në përkrahje të grevës të transportuesve privatë me datë 12.12.2022 para Qytetit të Shkupit Gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare në N.P ‘Parqe dhe Gjelbërime’ çdoherë kam ngritur zërin me pjesëmarrje aktive në shumë protesta në përkrahje të drejtësisë, kundër krimit dhe korrupsionit, rasteve të montuara politike si dhe të drejtave tona kombëtare Shqiptare”, thuhet në reagimin e Qerim Mamutit, transmeton Zyrtare.net
Edhe pse ka reaguar dhe protestuar edhe më herët, sipas Mamutit, drejtërët e kaluar asnjëherë nuk i janë hakmarrë politikisht, por kjo sipas tij është hera e parë.
Përndryshe, Qerim Mamuti ishte në krah të kreut të ASH-së, Arben Taravari kur ky i fundit i vizitoi transportuesit privatë të autobusëve gjatë protestës së tyre kundër Qytetit të Shkupit. Drejtor i NP “Parqe dhe Gjelbërime” para disa javësh u emërua Zuhejr Rexhepi, djali ish kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi./Zyrtare.net/
















