Connect with us

Religjion

Nuk ekziston dikush, që ju pëlqen të gjithë njerëzve

Published

on

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavati dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër!

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: Nuk ekziston dikush, që ju pëlqen të gjithë njerëzve!

Njëherë në një kohë, Nasradin hoxha dhe djali i tij po shkonin në një rrugë të largët. Ata e kishin vetëm një kalë. Hoxha kishte hipur në kalë, kurse djali po ecte në këmbë.

Duke kaluar nëpër fshatin e parë, njerëzit filluan të flasin:

– Shikoni atë plak të pasjellshëm, vetë ka hipur në kalë, ndërsa djali i gjorë po shkon në këmbë.

Dhe ai vetë zbriti, kurse djalin e hipi në kalë.

Kur po kalonin nëpër një fshat tjetër, njerëzit që i panë, thanë:

– Shikoni atë bandit si ka hipur në kalë, kurse babai i tij po ec në këmbë. Si nuk ka turp.

Atëherë ata vendosën që të hipin të dy.

Dhe kur po kalonin nëpër fshatin e tretë, njerëzit thanë:

– Shikoni ata dy gomarë, kanë hipur mbi një kalë, si nuk ju vjen keq për kafshën e gjorë!

Kështu që zbritën të dy nga kali dhe u nisën të ecin në këmbë.

Kur po kalonin nëpër fshatin e katërt, njerëzit thanë:

– Shikoni ata dy budallenj, e kanë kalin, ndërsa po shkojnë në këmbë …

Atëherë, Nasradin hoxha tha:

Sido që të veprosh, njerëzit nuk do t’i kënaqësh!

Vëllezër të dashur!

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do t’i trajtojmë katër mësimet dhe mesazhet që i mbart ky tregim:

1. Mëshira ndaj kafshëve

Ajo me çka duhet të dallohet muslimani nga jomuslimani është mëshira, por jo vetëm mëshira ndaj njerëzve, por edhe ndaj kafshëve. Andaj, kur të jenë të uritura, duhet t’i ushqejmë dhe kur të jenë të etura, duhet tu japim të pinë ujë, sepse Pejgamberi savs, në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a. ka thënë: “Duke kaluar rrugës një njeri ishte etur shumë, kështu që kur e gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë, e pastaj doli nga pusi. Kur papritur e takoi një qen, i cili nga etja e kishte nxjerrë gjuhën jashtë dhe po hante dheun e lagshtë. “Këtë qen e paska godit etja e fortë sikur mua që më pat goditur pak më parë”, tha njeriu dhe zbriti në pus, e mbushi këpucën e tij me ujë, pastaj e vuri në gojë dhe doli lartë i dha qenit për të pirë. Allahu i Plotfuqishëm e falënderoi atë dhe ia fali mëkatet.” Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe nga bamirësia për kafshët kemi shpërblim?” Ai u përgjigj: “Nga bamirësia për çdo gjallesë njeriu ka shpërblim.”

Sesa shtrihet mëshira muslimane ndaj kafshëve tregon më së miri shembulli i paraardhësve tonë.

Në të vërtetë, Ebu Hurejre r.a. kishte ra në gjumë, dhe kur ishte zgjuar e kishte parë një mace pranë tij duke fjetur mbi pallton e tij. Çfarë bëri Ebu Hurejre? A e përzuri macen? A e goditi? Jo! Ai duke ndjekur shembullin e Pejgamberit tonë, nga mëshira ndaj kafshës, që mos ta zgjojë nga gjumi, i mori gërshërët, e preu mëngën e palltos në të cilën po flinte macja dhe shkoi në punën e tij.

Në mesjetë, historiani Gustave Le Bon, ka shkruar se kafshët kanë jetuar si në parajsë në botën muslimane. Mbikëqyrje e veçantë ju ishte kushtuar krijesave të sëmura dhe të ndjeshme. Në shekullin e 18, në Kajro muslimanët themeluan strehimore për qentë ku ju siguronin ujë dhe ushqim. Në Damask, një pjesë e territorit të komunës ishte dedikuar për kuajt më të vjetër, dhe aty ata kanë mundur të kullosin me dinjitet deri në fund të jetës, dhe kjo praktikë ka vazhduar deri në shekullin e 20.

Pejgamberi savs ka thënë: “Një vepër e mirë që bëhet për kafshët është si një vepër e mirë që bëhet për njerëzit, ndërsa akti i mizorisë ndaj kafshëve është i njëjtë i keq sikurse mizoria ndaj njerëzve.”

Vëllezër të dashur!

Është e palejueshme që një musliman, për t’i përmbushur kërkesat e fëmijës t’ia blejë atij një qen, dhe kur pastaj fëmija dhe ai të ftohen prej tij, ta lënë në rrugë që t’u shkaktojë dëme njerëzve të tjerë.

Është e palejueshme që një musliman të gjuaj kafshë nga argëtimi. Gjuetia lejohet vetëm për t’u ushqyer.

Është e palejueshme që një musliman për t’i kënaq dëshirat e tij, dhe për interesat e tij personale, të organizojë ndeshje me dema, me qenë, me gjela ose me kafshë të tjera, sepse, sikur që do të përgjigjemi për raportet tona ndaj njerëzve, ne do të përgjigjemi edhe për raportin tonë ndaj kafshëve.

I Dërguari i Allahut savs ka thënë: “Është dënuar një grua për shkak të një mace të cilën e kishte mbyllur deri sa kishte ngordhur, andaj për këtë shkak ajo ka hyrë në zjarr (xhehenem). Ajo nuk i ka dhënë as ushqim as ujë kur e ka mbyllur, as nuk e ka lëshuar që të ushqehet me zvarranikë dhe insekte.”

Këtu duhet të theksojmë se Islami ka lejuar mbytjen e këtyre 5 (pesë) gjallesave: Pejgamberi savs ka thënë: “Pesë gjallesa të dëmshme lejohet vrasja e tyre në harem dhe jashtë haramit: gjarpri, korbi bardh e zi, miu, qeni i çmendur dhe një lloj skifteri (falcon).”

2. Bamirësia ndaj prindërve

Tregohet se një baba i vjetër i ishte mërzitur djalit tij dhe ky e kishte marrë në shpinë për ta dërguar sa më larg nga shtëpia. Kur e solli në pyll dhe e la aty, i ati e thirri: “O biri im, të lutem mos më lër këtu!” “Pse?” E pyeti djali. Kurse babai duke iu lutur vazhdoi: “Të lutem bir, më dërgo sa më larg prej këtu, këtu unë e kam lënë babanë tim!”

Të dashur vëllezër!

Nga raporti ynë me prindërit varet nëse ne do të marrim rrugën për xhenet apo për xhehenem, sepse Pejgamberi savs thotë: “Nëse te Allahu do të ekzistonte shprehje edhe më e butë e pakënaqësisë dhe mosbindjes ndaj prindërve sesa uf, do ta ndalonte atë. I padëgjueshmi le të bëjë çka të dojë, ai nuk do të hyjë në xhenet, kurse i dëgjueshmi le të bëjë çka të dojë, ai nuk do të hyjë në xhehenem.”

3. Dhembshuria ndaj të rinjve

Ebu Burde r.a. transmeton se Pejgamberi savs e mbajti një hutbe nga minberi, ndërkohë hyri Hasani dhe Husejni me rroba të kuqe, kalonin mes njerëzve, ngatërroheshin me rrobat e tyre dhe ngriheshin. Kur i pa, Pejgamberi savs zbriti nga minberi, i mori në krahë dhe i vendosi para tij. Pastaj u kthye kah njerëzit dhe tha: “Të vërtetën e ka thënë Allahu i Plotfuqishëm: “Pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm provë për ju…”, kur i pashë këta dy nipërit e mi sesi po pengohen me rrobat e tyre, nuk munda të përmbahem e të mos zbresë që t’i marrë.”

Në një hadith tjetër thuhet: Sheddad b. El-Had r.a. transmeton se Pejgamberi savs u priu sahabëve në namaz, dhe kur e bëri sexhden, Hasani u ngjit në shpinën e tij. Pejgamberi savs qëndroi gjatë në sexhde derisa Hasani zbriti vetë, ndërsa kur e mbaroi namazin, ai tha: “Ky nipi im më hipi mbi shpinë, andaj nuk desha që ta largojë derisa ta përfundojë dëshirën e tij.”

Çka do të bënim ne, vëllezër, nëse diçka e ngjashme do të ndodhte në xhaminë tonë?

Vëllezër të respektuar!

Pejgamberi savs na këshillon që fëmijët tonë t’i trajtojmë me shumë mëshirë, nëse edhe gabojnë diçka, nëse ndonjëherë qeshin, nëse ndonjëherë diçka edhe prishin, nuk duhet t’i dëbojmë nga xhamia, e cila është edhe e tyre sa është e jona, por le t’i këshillojmë bukur që mos të bëjnë ashtu edhe një herë. Pejgamberi savs thotë: “Nuk është prej nesh ai që nuk është i mëshirshëm ndaj më të rinjve”.

4. Nuk duhet dëgjuar çka thonë njerëzit, sepse njerëzit nuk mund t’i kënaqësh me asgjë.

Ata të cilët dëshirojnë t’i kënaqin të gjithë njerëzit nuk do të kenë sukses, prandaj, duhet që t’i punojmë ato vepra të cilat na mbajnë në rrugën e drejtë, t’i punojmë ato vepra të cilat do të bëjnë që Allahu të jetë i kënaqur me ne, kurse njerëzve, nëse ju pëlqen – mirë, e nëse jo, s’kemi çka bëjmë, sepse një proverb thotë: “Nuk ekziston dikush, që ju pëlqen të gjithë njerëzve!”

Ne duhet të përpiqemi për ta fituar kënaqësinë e Allahut, sepse, nëse Ai është i kënaqur me ne, edhe nëse të gjithë njerëzit janë të pakënaqur, ne do të jemi prej të shpëtuarve, në të kundërtën, edhe nëse të gjithë njerëzit do të ishin të kënaqur me ne, kurse Allahu i pakënaqur, atëherë ne do të jemi prej të shkatërruarve.

Hatim el-Esam e kishte pyetur Imam Ahmed b. Hanbelin r.h.: “Si të shpëtojmë nga njerëzit?”

Ai ishte përgjigjur: “Nëse ua jep pasurinë tënde, e nuk ua kërkon të tyren; nëse ju ndihmon në zgjidhjen e problemeve të tyre, e nuk e kërkon ndihmën e tyre; t’i durosh fyerjet e tyre, kurse ti të mos i fyesh ata!”

Atëherë Hatimi i thotë: “Kjo vërtet është e vështirë!”

Imam Ahmedi në këtë shtoi: “Do të ishe i lumtur, me gjithë këto, nëse do të jesh rahat (i shpëtuar) prej tyre!”

– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

– O Zot, Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK