Connect with us

Lajme

Nuk bëhet rehat Lista Serbe, i braktisi vetë institucionet dhe tani ankohet pse Kurti emëroi një ministër të ri nga komuniteti serb  

Published

on

I braktisën vetë dhe të shtyrë nga Beogradi zyrtar institucionet e Republikës së Kosovës për të kundërshtuar vendimet qeveritare për vendosjen e targave RKS në gjithë territorin dhe tani ankohen pse dikush tjetër është emëruar dhe mori pozitën e ministrit.

Lista Serbe sërish ka ankesa në drejtim të kryeministrit Kurti dhe thotë se do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi e ka cilësuar si antikushtetues emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim.

Sipas kësaj liste, ky vendim i cili u mor pa pëlqimin e deputetëve serbë, është shembulli më i mirë i siç thonë ‘veprimit autokratik, diktatorial, antikushtetues, dhe ilegal i Kurtit’.

“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë – gjë që nuk e ka bërë Albin Kurti, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagimin e Listën Serbe.

Ata shtojnë se kundër “lëvizjes diktatoriale të Albin Kurtit, deputetët e Listës Serbe do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të konfirmojë pa vonesë se është shkelje e kushtetutës dhe shkelje e të drejtave të popullit serb”.

Në bazë të kompetencave të tij kushtetuese e ligjore, kryeministri Albin Kurti sot e ka emëruar në pozitën e ministrit politikanin nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Dokumentin që ka siguruar KosovaNews shihet se Rashiq do të udhëheq Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Këtë pozitë deri para pak kohësh e ka mbajtur ish- ministri nga Lista Serbe, Goran Rakiq, i cili dha dorëheqje.

Vlen të theksohet se në zgjedhjet e fundit parlamentare, Nenad Rashiq kishte kandiduar me partinë e tij Partia Progresive Demokratike.

Rashiq edhe gjatë Qeverisë Kurti 1, ka qenë një kohë pjesë e kabinetit qeveritar si këshilltar i kryeministrit.

Ndryshe, Rashiq është kundërshtar politik dhe kritik i zëshëm i Listës Serbe, subjekt politik në Kosovë, që prej formimit më 2013, është i vetmi përfaqësues i komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe gëzon mbështetje të plotë të Beogradit zyrtar dhe me urdhër prej atje mori vendin e doli nga institucionet e Kosovës, si shenjë proteste për vendimin qeveritar që të vendosen targa RKS në gjithë territorin./KosovaNews

NA NDIQ NË FACEBOOK