Connect with us

Sport

Nations League/ Trajneri Grima: Mundësitë janë më të mëdha për t’u kualifikuar në Europian, ja planet tona për rifreskimin e skuadrës

Published

on

UEFA vjen me risi në këtë fillim sezoni për ekipet kombëtare të vajzave, të cilat për herë të parë do të zhvillojnë atë që quhet Nations League për vajza e që konsiston në tre liga: A, B dhe C. Dy të parat me nga 16 ekipe dhe Liga C me 19 ekipe, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Kjo skemë e re e aprovuar tashmë nga UEFA do të aplikohet edhe për kualifikueset e Kampionatit Europian dhe Botëror për vajza. Liga e Kombeve për vajza konsiderohet si një mundësi mjaft e mirë nga trajneri i përfaqësueses shqiptare për vajza, Armir Grima, i cili në një prononcim për fshf.org shprehet se shanset tashmë për t’u kualifikuar në Europian janë rritur.

“Shanset janë më të mëdha se ç’ishin sepse kjo formulë të krijon mundësinë të luash me ekipe të barabarta me ne apo pak më lart se ne në Ligën B. Shpresojmë që të kemi fat edhe në short dhe të na bien skuadra të nivelit tonë e të luajmë mundësitë tona për një vend në finalet e Europianit të ardhshëm, pasi krahasuar me skemën e mëparshme, shanset për t’u kualifikuar sigurisht që janë rritur dhe janë më të mëdha” – thotë trajneri Armir Grima në prononcimin e tij për fshf.org, ndërsa thekson se gjërat duhen marrë hap pas hapi dhe fillimisht Shqipëria duhet të sigurojë ngjitjen në Ligën B. Por, për të arritur këtë qëllim, stafi i skuadrës është në kërkim të elementëve të rinj për të freskuar skuadrën, teksa pritshmëritë janë rritur nga eliminatoret e kaluara, kur Shqipëria arriti të grumbullonte për herë të parë 10 pikë kualifikueset e një Botërori.

”Sigurisht që synimi ynë kryesor dhe që nuk duam ta diskutojmë është që fillimisht të ngjitemi në Ligën B, me çdo mënyrë.

Mundësitë i kemi, kemi një grup cilësor. Por kemi nevojë shumë për të afruar elementë të rinj në skuadër dhe jemi gjatë gjithë kohës në vëzhgim të vajzave të reja. Po mundohemi që të afrojmë vajza që kanë jo vetëm aftësitë, por edhe dëshirën për të luajtur për Kombëtaren e vajzave dhe besoj që do të bëjmë një paraqitje më të mirë në sezonin e ardhshëm. Tashmë janë rritur edhe pritshmëritë për këtë skuadër, pasi për herë të parë, Shqipëria ia doli të grumbullonte 10 pikë në kualifikueset e një Kampionati Botëror dhe normalisht që do të pretendojmë të bëjmë diçka më të mirë në kualifikueset e ardhshme” – shprehet ndër të tjera trajneri Armir Grima.

I pyetur për planet e stafit kuqezi për vitin e ardhshëm, trajneri shqiptar nënvizon se janë planifikuar disa grumbullime të skuadrës, si edhe janë në pritje të ndeshjeve miqësore me rivalë të denjë për ekipin kuqezi.

“Normalisht që kemi plane për vitin e ardhshëm. Kemi planifikuar grumbullime disa ditore dhe një ditore, për të parë gjendjen e vajzave dhe për të qenë në kontakt me to. Kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë për ndeshje miqësore me ekipe cilësore, në të njëjtin nivel me ne ose më lart se ne, për të matur realisht forcat tona dhe për të forcuar edhe gjendjen e ekipit kur përballemi me rivalë të fortë. Jemi në pritje të konfirmimit të ndeshjeve miqësore, ndërsa pjesën tjetër për grumbullime e seleksionime e kemi vetë në dorë, pasi Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë dhe vijon të jetë gjithmonë e gatshme për të na ndihmuar dhe mbështetur” – përfundon trajneri Armir Grima prononcimin e tij për fshf.org.

NA NDIQ NË FACEBOOK