Connect with us

Religjion

Jeta e qetë dhe modeste është më e mirë, sesa…

Publikuar

Jeta e qetë dhe modeste është më e mirë, sesa suksesi që shoqërohet me shqetësim dhe brengë

Në vitin 1922, Albert Ajnshtajni ishte në një turne nëpër Japoni, dhe derisa ishte ulur në ‎dhomën e tij, një punëtor hoteli erdhi tek ai me një letër. Ajnshtajni nuk kishte para të imëta në ‎xhep për t’i lënë bakshish punëtorit, por në një letër ia shkroi një këshillë, duke i thënë:

‎‎“Merre, ndoshta një ditë mund të jetë me vlerë më të madhe se pasuria e shumtë.”

Punëtori ‎doli nga dhoma duke e marrë me vete njërën nga teoritë më të rëndësishme të Ajnshtajnit, ‎dhe ajo është teoria e Ajnshtajnit mbi lumturinë ku thuhet:

“Jeta e qetë dhe modeste sjell më shumë lumturi se sa kërkimi i vazhdueshëm i suksesit në kombinim me shqetësimin dhe brengën.”

Kjo ishte këshilla e Alberitit për punëtorin e hotelit.‎

Në vitin 2017, parashikimi i Ajnshtajnit u bë realitet. Një copë letre, në të cilën ai e shkroi ‎teorinë e tij të lumturisë, u shit në ankand pabesueshëm për 1.3 milionë dollarë. Kjo assesi ‎nuk do të thotë se Ajnshtajni e dinte të padukshmen (gajb), sepse ai në këtë drejtim, ishte si ‎çdo njeri tjetër, vetëm se atij Allahu i kishte dhuruar mendje gjeniale.‎

Por, pavarësisht nga inteligjenca dhe zgjuarsia e jashtëzakonshme, disa parashikime të ‎Ajnshtajnit janë bërë të vërteta, kurse disa nuk janë bërë.

Për fat të keq, një nga parashikimet ‎e tij të pasuksesshme është edhe ajo për kohëzgjatjen e shtetit të krijuar sionist të Izraelit. Në ‎fakt, kur i kishin ofruar që të jetë president i Izraelit, Ajnshtajni kishte refuzuar, duke thënë:

‎‎“Unë nuk pranoj të jem president i shtetit që nuk do të jetojë më shumë se 50 vjet.”

Ndër ‎deklaratat e tij të njohura është edhe kjo:

“Unë nuk e di se çfarë armatimi do të përdor njerëzimi në Luftën e Tretë Botërore, por lufta e katërt botërore me siguri do të zhvillohet me shkopinj dhe gurë.”

Duke u kthyer në teorinë e Ajnshtajnit për lumturinë, dua të theksoj se ajo është një teori ‎shoqërore e cila nuk është më pak e rëndësishme se sa teoria e relativitetit dhe disa teori të ‎tjera për të cilat ka folur Alberti. Njeriu jeton në atë masë, sa ai e gëzon jetën dhe në atë masë, ‎sa ai i posedon gjërat, dhe jo anasjelltas. Më besoni, shtëpitë sot janë bërë sekrete, kurse ‎njerëzit janë bërë arka të mbyllura. Shumë prej profesioneve prestigjioze të cilat i shohim sot, ‎nuk janë gjë tjetër pos robëri në rroba elegante, në kostume të shtrenjta, në kostume dhe ‎kollare.‎

Nuk ka asgjë më të vështirë sesa jeta e mbushur me shqetësim. Më vjen keq për njerëzit të ‎cilët vrapojnë si macet rreth këmbëve të menaxherëve dhe drejtorëve. Më vjen keq për ‎pronarët e aksioneve, të cilët gjatë ditës i han shqetësimi dhe parehatia, dhe gëlltitin tableta ‎për kontroll të tensionit sikur një fëmijë, i cili duke luftuar me kohën, ngutet që t’i gëlltit dhe i ‎han të gjitha bonbonet në qese, para se ta kapë e ëma dhe ta parandalojë nga kjo.‎

Para 15 vjetëve, vdekja nga sulmi në zemër ishte e rrallë, si deveja në Polin e Veriut dhe foka ‎në shkretëtirën arabe Rubul hal. Kurse sot, nuk ka ditë që njerëzit të mos rrënohen si një shkëmb ‎nga sulmi në zemër.

Jeta jonë është bërë e shpejtë, e brenë brenga dhe pikëllimi si një mi që ‎nuk ka punë tjetër pos të shkatërrojë dhe të shkaktojë dëme.

Lum ai që posedon jetën, dhe jo ‎jeta atë, dhe ai që jeton jetë të thjeshtë larg nga shkëlqimi i rremë i kësaj bote, të cilin nuk e ‎pengon ajo që nuk e njohin njerëzit, për derisa është i njohur tek Allahu.‎

/Edhem Sherkavi/

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK