Connect with us

Kosovë

Flet babai i të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes: Djali me pas vdekë aty, ma shumë s’isha mërzitë

Published

on

Babai i Sokol Halilit – personit të dyshuar për vrasjen e ish bashkëshortes së tij – Halili Halili tregoi se ngjarja e rëndë, e cila ka ndodhur të mërkurën, e ka mërzitur e hidhëruar shumë.

Halili tha se çifti mes vete kanë pasur mosmarrëveshje, e që sipas tij me anëtarët e tjerë të familjes me ish-bashkëshorten e djalit të tij kanë kaluar mirë.

Babai i të dyshuarit tha po ashtu se nuk do të mërzitej më shumë edhe sikur djali i tij të vdiste aty.

“Çka kanë pas mes veti ata burrë e grua. Ata i kanë nga 30 vjet e ma shumë. Nuk di çka me të kallxu. Jam i mërzitshëm shumë. Keq ka ndodh shumë. Ishalla nuk ndodh kurrë keq. Edhe dytë me pas vdekë aty unë ma shumë s’kisha dit me u mërzit e me u idhnu. Ishalla Zoti e bën mirë se keq shumë u bo, ishalla kurrë më nuk bëhet”, tha ai.

I pyetur se si i kanë pasur raportet me ish-bashkëshorten e të djalit, ai tha: “Mirë e kemi pas me nusen shumë. Kurrgjë s’kemi pas me të. Veç ata dy s’kanë pasur marrëveshje mes vete”.

Motra e gruas shtatzënë, e cila u vra të mërkurën në oborrin e QKUK-së ka bërë të ditur se e ndjera ka qenë vetëm 3 muaj e martuar me të dyshuarin, dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë pre e dhunës fizike e psiqike nga bashkëshorti i saj.

Ndryshe, Sokol Halili, i dyshuar për vrasjen e ish-gruas së tij shtatzënë, Hamide Magashi mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është ende në kërkim nga Policia e Kosovës.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri ka treguar se janë në kërkim të personit të dyshuar për rastin në fjalë.

“Jemi në kërkim të personit të dyshuar, veprime të tjera jemi duke ndërmarr për rastin”, tha shkurt Beqiri, duke mos dhënë detaje shtesë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje shtesë rreth këtij rasti.

Prokuroria ka bërë të ditur se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje bëhet e ditur se prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.

“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së. Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023. Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërkaq edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se njësitë policore kanë kërkuar në disa lokacione, por deri tani nuk kanë hasur në të dyshuarin.

“Prishtinë 30.11.2022 – 18:00. Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport të policisë. /Telegrafi/

NA NDIQ NË FACEBOOK