Religjion
Çka është feja? | Islam Press

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë e vërtetojmë se Muhamedi (savs), është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Vëllezër të dashur,
Hutbeja e sotme titullohet: Çka është feja?
Në fillim të kësaj hutbeje do t’ju rrëfej një tregim të vërtetë:
Një djalë nga Parisi, duke u shoqëruar me muslimanë, e pëlqeu mënyrën islame të jetës dhe të përqafoi Islamin. Kur dëgjoi për këtë nëna e tij, i ndërpreu të gjitha kontaktet me të, por pastaj ndodhi një mrekulli. Djali papritur u sëmur dhe së shpejti vdiq. Nëna dëgjoi për vdekjen e tij. E kërkoi dhe e gjeti, pikërisht në gasulhane, derisa shokët e tij po ia lanin xhenazen. Ajo thotë se kishte kërkuar leje për të marrë pjesë gjatë ritualit të larjes dhe e kishin lejuar. E përcillte me kujdes dhe psherëtinte. Pasi e lanë mirë, e mbështollën bukur me qefin të bardhë, e parfumuan me aromë të mirë, nëna kërkoi leje për ta puthur, dhe ata e lejuan.
Pastaj pyeti: Më tregoni se si u konvertua djali im në Islam?
Ata i thanë: Duke u shoqëruar me ne, ai e pa bukurinë e Islamit dhe e përqafoi Islamin!
Nëna i tha: Unë nuk po ju pyes pse u konvertua në Islam, por mënyrën se si e pranoi Islamin!
Ata i thanë: Ah, kjo është e lehtë, duhet të lahet dhe të deklarojë: Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu enne Muhammeden Resulullah.
Nëna i pyeti: A mund të vij unë përsëri këtu pak më vonë?
Ata i thanë se mundet. Pas një kohe të shkurtër erdhi nëna, por tani e mbuluar si muslimane e vërtetë. Ju afrua djemve dhe tha: A mund t’i shqiptoj unë fjalët me të cilat hyhet në Islam?
Pasiqë e pranoi Islamin dhe e shqiptoi shehadetin, djemtë e pyetën nënën: Na thuaj tani, jo si e pranove Islamin, sepse Elhamdulilah e dëgjuam dhe e pamë, por pse e pranove Islamin?
Ajo ju tha shkurt dhe qartë: Për shkak të asaj që unë pash pak më parë. Kur feja islame kërkon të silleni në atë mënyrë ndaj të vdekurve, atëherë çfarë është me të gjallët.
Çka do të thotë të jesh musliman? Çka do të thotë të jesh besimtar?
Transmetohet se një njeri erdhi para Pejgamberit savs dhe e pyeti:
O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi savs u përgjigj: Sjellja e bukur!
Njeriu i doli nga ana e djathtë dhe përsëri e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi savs u përgjigj: Sjellja e bukur!
Pastaj njeriu i doli nga ana e majtë dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi savs u përgjigj: Sjellja e bukur!
Njeriu pastaj i doli pas shpine dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja? Pejgamberi savs u përgjigj: Sjellja e bukur!
Pastaj njeriu përsëri i doli përpara dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Ndërsa Pejgamberi savs tash ju përgjigj: Feja është që të mos zemërohesh!
Vëllezër të dashur!
Nëse duam që të jemi besimtarë të vërtetë, nëse duam të jemi muslimanë të vërtetë, atëherë ne duhet të zbukurohemi me durim (sabër), fisnikëri, sinqeritet, tolerancë, dashuri, bujari, buzëqeshje, mëshirë, dhe me një numër të karakteristikave tjera të cilat të gjitha së bashku e bëjnë sjelljen e mirë.
Sjellja e mirë arabisht quhet ‘hulukun’, që është derivat i fjalës ‘haleka’– krijim. Që do të thotë, bëhu ashtu siç të ka krijuar Allahu. Allahu na ka krijuar që të na dojë secili dhe ne ta duam secilin. Allahu na ka krijuar të paprishur. Allahu na ka krijuar të atillë që mos të na interesoj ajo që nuk na përket neve. Allahu na ka krijuar normal dhe të natyrshëm.
Dhe ajo që është normale dhe e natyrshme është që ne të gjithë ta duam të mirën dhe mirësinë. Dhe duhet ta dimë se mirësia nuk është në të holla, as në pozitë, as në prejardhje, por në sjellje të mirë.
Për këtë arsye Pejgamberi savs ka thënë: Ju kurrë nuk do t’i përfitoni njerëzit me pasurinë tuaj, por do t’i përfitoni me fytyra të buzëqeshura dhe me sjellje të mirë.
Nëse ju e ndani pasurinë, nuk do jetë e mjaftueshme për të gjithë njerëzit, kurse buzëqeshja juaj dhe sjellja e mirë mund të jenë të mjaftueshme.
Pejgamberi savs ka thënë: O Ebu Hurejre, përpiqu që të kesh moral të bukur (sjellje të mirë). Ebu Hurejre e pyet: Çka është kjo, o i Dërguari i Allahut?
Ai i thotë: Që të mbash lidhje me atë që i ka ndërprerë me ty, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi dhe t’i japësh atij i cili nuk të jep ty!
Të nderuar vëllezër!
Të ju bëjmë mirë njerëzve për shkak të vetvetes… Nëse na e kthejnë me të mirë, ata e konfirmojnë vlerën e tyre, e nëse na e kthejnë me të keqe, ata nuk e prishin vlerën tonë, por vetëm e konfirmojnë pavlefshmërinë e tyre.
E kanë pyetur Tusteriun, çka është sjellja e mirë, ai është përgjigjur: Unë do t’jua tregoj nivelin më të ulët të mirësjelljes, kurse më të lartin nuk mundem. Shkalla më e ulët e mirësjelljes është që t’i përballosh dobësitë njerëzore, që mos t’i marrësh pagesë dikujt që i kryen një shërbim, të jesh i mëshirshëm ndaj atij që të ka bërë padrejtësi dhe të lutesh për të që Allahu ta lirojë nga ajo padrejtësi që e bën. Ky është niveli më i ulët i mirësjelljes.
Pejgamberi savs thotë se besimtari më i mirë dhe ai që është më afër tij është ai që i ka sjelljet më të mira.
Ai thotë: Më i dashuri nga ju dhe më i afërt me mua në Ditën e Gjykimit do të jetë ai që ka sjelljet më të bukura. Ndërsa më i urrejtur dhe më larg nga unë në Ditën e Gjykimit do të jenë ata që flasin shumë, bëjnë zhurmë për asgjë dhe ata që janë arrogantë dhe kryelartë.
Për të qenë besimtarë të vërtetë, të mirëfilltë, ata me të cilët do të krenohet Pejgamberi ynë, fenë duhet ta kemi në jetën dhe sjelljen tonë të përditshme.
Fakti që muslimani falet, agjëron, jep zekat dhe shkon në haxhillëk, nuk është mirësia përfundimtare. Kjo është detyra e përditshme e besimtarit, ndërsa mirësi përfundimtare është sjellja e mirë.
Namazi është shtylla e fesë sonë, po ashtu agjërimi, zekati, e gjithashtu edhe haxhillëku. Këto janë shartet (kushtet) e Islamit, do të thotë, janë kushte që të mund të regjistrohemi si muslimanë, kurse për tu regjistruar si banorë të xhenetit, duhet ta dimë se rruga për në atë shoqëri të zgjedhur është sjellja jonë, morali ynë, sepse siç thamë, feja është sjellja e mirë.
Prandaj, nëse e duam xhenetin, duhet ta ruajmë mirë gjuhën tonë, sepse ajo do t’i shpjerë shumë njerëz në zjarrin e Xhehenemit.
Pejgamberi savs shpesh e bënte këtë lutje: O Allah, unë nga Ti kërkoj shëndet, ndershmëri, ruajtje të amanetit, sjellje të mirë dhe kënaqësi me caktimin Tënd!
O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
Na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
Fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit!
Fëmijët tanë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në Xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini























