Connect with us

Religjion

A lejohet të qajmë për të vdekurin?

Publikuar

Ibn Omeri (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) në shoqëri me Abdurrahman ibn ‎Avf, Sad ibn Ebi Vekas dhe Abdullah ibn Mes’ud (r.anhum), e vizitoi Sad ibn Ubaden dhe qau. ‎Kur ata që ishin të pranishëm e panë Pejgamberin (savs) duke qarë – edhe ata filluan të qajnë, ‎meqë rast, ai u tha atyre:

„Dëgjoni! Me të vërtetë Allahu nuk dënon për shkak të lotit në sy, as për shkak të pikëllimit në zemër, por dënon ose mëshiron për shkak të kësaj“ – dhe tregoi për gjuhën e tij.“ (Buhariu)‎

Në një tjetër hadith theksohet nga Usame bin Zejd (r.a.), se Pejgamberit (savs) ia sollën ‎djalin e njërës prej vajzave të tij, i cili ishte duke vdekur, dhe ai qau me hidhërim, kurse Sa’di i tha:

‎‎„Ç’është kjo, o i Dërguari i Allahut ?!“ Ai u përgjigj: „Kjo është mëshirë (rahmet) të cilën Allahu e ka derdhë në zemrat e robërve të Tij, dhe Allahu i mëshiron robërit e Tij të mëshirshëm.“ (Buhariu)‎

Enesi (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) hyri te djali i tij Ibrahimi, i cili ishte para ‎vdekjes andaj qau dhe derdhi lot. Atëherë, Abdurrahman bin Avfi i thotë atij:

„A edhe ti, o i Dërguari i Allahut?!“ – Kurse ai u përgjigj: „O Ibn Avf, kjo me të vërtetë është rahmet – mëshirë e Allahut“, dhe pastaj shtoi:

„Vërtet syri loton dhe zemra pikëllohet, por ne nuk themi asgjë, përveç asaj me çka është i kënaqur Zoti ynë. Ne me të vërtet jemi të pikëlluar për ndarjen tënde, o Ibrahim!“ (Buhariu)‎

Përkthim: Miftar Ajdini