Connect with us

Lajme

Shqetësime për përdhosjen e shqipes

Published

on

Në prag të 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit ku u bë edhe unifikimi i alfabetit, gjuha shqipe sot nuk është në gjendjen e saj më të mirë. Përdorimi i fjalëve nga zhargoni i përditshëm, huazimet apo edhe komunikimi kryesisht në gjuhë të huaj i më të rinjve kanë bërë që gjuha shqipe të mos flitet në formën e saj më të pastër.

Profesori Avzi Mustafa thotë se ndjen keqardhje për gjendjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se mësimdhënësit kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mënyrën se si brezat e rinj shprehin mendimin në gjuhën amtare, sepse sipas tij, nxënësi është shëmbëlltyre e mësimdhënësit. Sipas tij do të duhej të ekzistojë një komision detyra e të cilit do të ishte monitorimi i zbatimit dhe realizimit të gjuhës shqipe.

“Ka një mungesë kujdesi ndaj gjuhës shqipe që ka filluar shumë më herët këtu në Maqedoni, që nga viti 1981-1982. Kur erdhi demokracia menduam se do të fillojë nga e mbara, filloi nga e kundërta. Nipëri e mbesat mes tyre komunikojnë në gjuhën angleze, prandaj me të drejtë edhe me të drejtë profesori Xhevadin Shkurtai thotë se tani është koha e “ urgjencës gjuhësore. Nxënësi është shëmbëlltyrë e mësuesit apo mësueses, si flet mësuesja ai e përvetëson. Mirëpo edhe ato nuk kanë kujdes ndaj gjuhës shqipe. Në shkrim qëndron pak më mirë se sa në të folur”, deklaroi Avzi Mustafa- profesor.

Zbatimi i gjuhës shqipe në vendin tonë has në sfida edhe nëpër institucione. Pavarësisht ligjit në fuqi, shumë institucione në vend zbatojnë pjesërisht ose aspak gjuhën shqipe. Disa të tjera kërkojnë ndihmë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve për përkthimin e dokumenteve.

“Normalisht ky vit na gjen me një shkronjë plus sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe nëpër institucionet në vend, sepse do vit nga një shkronjë po zbatohet. Aktualisht jemi duke përkthyer formularët e Kadastrës, që janë mbi 300 formularë, të Doganave, dhe të Bankës Popullore. Domethënë rreth një mijë formularë. Po tani, të themi Policia Financiare, Drejtoria e Të ardhurave Publike dhe disa institucione të tjera që deri më sot, kemi pasur takim ndoshta me zëvendësit, që janë shqiptar, por drejtorët nuk kanë shprehur interes”, u shpreh Ylber Sela- Drejtor AZGJ-së.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14 dhe 22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme. /Alsat.mk

NA NDIQ NË FACEBOOK