Sport
Scaloni miraton transferimin e Dybalës te Roma: Zgjedhja perfekte, është thelbësor për Argjentinën


Trajneri Lionel Scaloni dhe Argjentina e tij vijojnë përgatitjet në vigjilje të Kupës së Botës, Katar 2022. Kombëtarja “Albiceleste” që kuotohet si një nga favoritet e turneut është pjesë e Grupit C së bashku me Arabinë Saudite, Meksikën dhe Poloninë. Në organikën e amerikano-latinëve janë të shumtë yjet teksa pjesë e Botërorit do të jetë edhe Paulo Dybala, lojtari për të cilin dyshimet ishin të mëdha pasi për më shumë se një muaj ishte jashtë fushave për shkak të një dëmtimi dhe që u rikthye të luaj vetëm para pak ditëve, më datë 13 nëntor.
Megjithatë, Scaloni i beson cilësive të “La Joya-s” dhe së fundmi shprehet se 29-vjeçari bëri zgjedhjen më të mirë të mundshme duke u transferuar te Roma.
“Transferimi te Roma ishte një zgjedhje inteligjente, sepse qyteti është spektakolar dhe aty mund të shndërrohet në një idhull. Ka gjetur gjithashtu një trajner si Jose Mourinho, që është i aftë ta shfrytëzoj në maksimum potencialin e tij.Më pëlqeu shumë ndryshimi nga Juventus te Roma.
Ne trajnerëve na intereson shumë mënyra si përshtatet një futbollist dhe Dybala është përfshirë në mënyrë perfekte në mekanizmat e Romës. Pastaj, Dybala është edhe një person spektakolar, këtu në grupin e Argjentinës është thelbësor dhe ne e duam shumë”, u shpreh Scaloni.






















