Connect with us

Religjion

Planeti tokë është amanet | Islam Press

Published

on

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme titullohet: Planeti Tokë është amanet

Duke e krijuar njeriun, Allahu i Plotfuqishëm ia caktoi atij rolin e “halifit”, përkatësisht, të përfaqësuesit të Allahut në Tokë. Me këtë Ai e ngarkoi njeriun, pra secilin prej nesh, që të kujdeset edhe për Tokën në të cilën jeton; që ta ruajë atë, ta mbrojë dhe që ta pastrojë; për të vendosur rregull në të dhe për të kërkuar të bëjë mirë dhe të largojë nga e keqja.

Pse Zoti i botëve na e ka besuar këtë rol pikërisht neve – njerëzve, dhe jo p.sh. xhinëve që janë krijuar para nesh? Ose pse jo melekëve, të cilët e pyetën Zotin e botëve, se a do t’ia jepte rolin e halifit në Tokë njeriut, i cili do të shkaktojë çrregullime dhe do të derdhë gjak mbi të? Pse?

Sepse ne jemi të lidhur me tokën në shumë mënyra; ne jemi krijuar prej saj, jetojmë dhe ecim mbi të, punojmë dhe ndërtojmë mbi të, ushqehemi me frytet e saj dhe në fund i kthehemi sërish asaj!

Duke studiuar lidhjen midis njeriut dhe Tokës, disa njerëz kanë thënë: “Trupi i njeriut është i përbërë nga dheu, edhe Toka është si trupi i njeriut. Ajo e ka qarkullimin e saj të gjakut – që janë lumenjtë dhe përrenjtë e saj; ajo i ka mushkëritë e veta – që janë pyjet dhe bimët e saj; ajo e ka dekorimin e vet – që janë kodrat dhe malet e saj. Njeriu sikurse që e ruan, e mbron, e pastron dhe e rregullon trupin e tij, ai edhe ndaj Tokës duhet të sillet në të njëjtën mënyrë. Sepse, sikur që papastërtia shkakton sëmundje të ndryshme, të cilat na rrezikojnë neve dhe jetën tonë, ashtu edhe lumenjtë, pyjet, livadhet dhe rrugët e papastra e rrezikojnë jetën e Tokës.”

Një arsye tjetër, jo më pak e rëndësishme, pse duhet të kujdesemi për Tokën dhe gjithçka që ka në të, është se ajo është vepër e Zotit, përmes së cilës ne e njohim Krijuesin tonë. Sepse besimtarët nuk e njohin Zotin vetëm nëpërmjet Shpalljes, por edhe nëpërmjet asaj që Ai ka krijuar, dhe çdo gjë që ka krijuar, Ai e ka krijuar në formën e saj të natyrshme, më të bukur dhe të përsosur.

Duke shkelur atë vepër të natyrshme (pra, të Zotit), njeriu në fakt e përdhos dhe shkatërron në mënyrën më të vrazhdë idenë e tij për Zotin, dhe kështu drejtpërdrejt edhe besimin e tij. Prandaj ne muslimanët, më shumë se kushdo tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes së planetit Tokë.

Arsyeja e tretë, për të cilën duhet të ndihemi veçanërisht të obliguar për t’u kujdesur për pastërtinë e Tokës, është hadithi në të cilin Pejgamberi (savs), thotë se Allahu i Plotfuqishëm e ka bërë të gjithë Tokën xhami, përkatësisht, vend ku mund të falim namaz. Kjo në fakt, do të thotë, se çdo fushë, livadh dhe kodër është vend për ibadet, se lumenjtë, përrenjtë dhe burimet janë vendi i abdesit tonë, dhe se qielli mbi ne është kubeja e xhamisë. Prandaj, sikur që jemi të obliguar të kujdesemi për pastërtinë e xhamisë sonë, si dhe të vendeve të tjera ku falemi dhe bëjmë ibadet, ashtu duhet të kujdesemi edhe për pastërtinë e gjithë Tokës.

Vëllezër të dashur!

Për të mbrojtur planetin Tokë, përveç pastërtisë së saj, duhet të kemi parasysh edhe përdorimin e burimeve të saj, të cilat nuk janë të pakufizuara. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Tokën e kemi marrë amanet nga Krijuesi Suprem, ashtu siç e kemi marrë edhe nga prindërit tanë si trashëgimi. Kjo vendos para nesh një detyrim shumë serioz, dhe ai është se, edhe ne duhet t’ua dorëzojmë Tokën fëmijëve tanë në gjendje të atillë që edhe ata të mund të jetojnë në të me dinjitet dhe ta kultivojnë.

Në këtë kuptim, ne do t’i bëjmë planetit Tokë, pastaj gjithë klimës së tij dhe më pas të gjithëve neve, një shërbim të madh nëse i përdorim burimet e tokës në mënyrë korrekte, ekonomike dhe racionale. Për këtë nuk na nevojiten vepra të mëdha. Mjafton p.sh. ta shmangim plastikën e panevojshme, ta kursejmë energjinë, të përdorim biçikleta në distanca të shkurtra, të hedhim më pak ushqim, etj.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se për ndryshimet klimatike në Tokë dhe për çrregullimin që është shfaqur në të, nuk është fajtor Zoti, por jemi fajtor ne njerëzit, që nuk kujdesemi sa duhet për sjelljen tonë dhe për amanetin që e kemi marrë përsipër nga Zoti ynë. Ai na porosit: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (er-Rûm, 41)

Vëllezër të dashur!

Toka jonë është anija jonë, në të cilën lundrojmë të gjithë së bashku. Prandaj, le të kujdesemi për të dhe mos ta dëmtojmë! Sepse nëse anija fillon të fundoset, do të fundosemi të gjithë së bashku dhe vetëm pak do të shpëtojnë.

I lutemi Allahut të dashur që të na udhëzojë në Rrugën e drejtë, që ta përmbushim amanetin të cilin e kemi marrë prej Tij, që të na i falë mëkatet nga e kaluara dhe të na mëshirojë në dobësitë tona.

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

O Zot, na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e kanë përcjellë dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet, në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK