Connect with us

Religjion

O besimtarë, mos e prishni sadakën tuaj me përgojime e ofendime

Published

on

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: O besimtarë, mos e prishni sadakën tuaj me përgojime e ofendime!

Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin fisnik thotë: “O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gurë të lëmuar të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.” (el-Bekare, 264)

Ebu Dherri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: „Allahu i Plotfuqishëm në Ditën e Gjykimit nuk do të flasë me tre lloje të njerëzve, as nuk do t’i shikojë, as nuk do t’i pastrojë nga mëkatet, por ata do t’i ndëshkojë rëndë.“

Në këtë Ebu Dherri (r.a.) i ka thënë: „Ata janë të humbur dhe të shkatërruar!“ Më pas e ka pyetur: „Po kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?“

Pejgamberi (savs) është përgjigjur: „(1) Ai që bartë rroba të gjata nga krenaria (dmth. ai që mburret me dynjanë e tij, me pasurinë e tij, me shtëpinë, me makinën, me udhëtimin, me gostinë etj.); (2) ai që qorton dhe ofendon për sadakën që ka dhënë dhe (3) ai që e shet mallin duke u betuar rrejshëm!“

Pejgamberi (savs), gjithashtu, ka thënë: „Tre njerëz (grupe njerëzish) nuk do të hyjnë në xhenet. (1) Ai që është i padëgjueshëm ndaj prindërve të tij, (2) pijaneci famëkeq dhe (3) ai që ka zakon ta theksojë bujarinë e tij, duke ua kujtuar njerëzve sadakën që ka dhënë.“

Paraardhësit tanë e kanë fshehur ibadetin nga anëtarët e familjes tyre, kurse sot nëse nuk e ke vëndos foton në internet duke bërë ibadet, (të duket) sikur nuk ke bërë ibadet fare.

Bishr el-Harithi ka thënë: „Mos bëj vepra që të jesh i përmendur. Fshihi veprat tua të mira ashtu siç i fsheh veprat tua të këqija. Më shumë është i vlerësuar namazi vullnetar gjatë natës sesa namazi vullnetar gjatë ditës, kërkimi i faljes në agim nga kohët tjera, sepse këto janë kohë më të fshehta dhe veprat në to janë më të sinqerta.“

Prandaj, dijetarët islam e këshillojnë një parim të artë, në mënyrë që besimtari t’i ruajë veprat e tij të mira nga shkatërrimi. Ai parim është: „Kur e bën një të mirë, harroje plotësisht, ndërsa kur ty ta bëjnë një të mirë, mos e harro sa të jesh gjallë!“

Të dashur vëllezër!

Për të gjitha këto që i përmendëm më lart mund ta bëjmë këtë interpretim: Nëse jepni sadakë për shkak të hoxhës apo të haxhiut, nëse jepni për shkak të fqinjit, nëse jepni për shkak të votave, nëse jepni për shkak të famës, apo për ndonjë përfitim tjetër të kësaj bote, më mirë mos e jepni fare, sepse prej saj, siç dëgjuam, nuk ka asnjë dobi.

Vëlla i dashur, sadaka ime dhe e jotja duhet të jetë vetëm për Allahun dhe kënaqësinë e Tij, sepse Allahu i Plotfuqishëm për të tillët thotë: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, pa e përcjellë atë me përgojim apo fyerje, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen. – Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë (nuk nxiton në dënime).” (el-Bekare, 262-263)

Imami i haremit të Mekës shejh Shurejm, në një nga hutbet e tij ka thënë:

„Keni kujdes, ruhuni nga thesi i shqyer:

• Merrni abdest sipas rregullit, por shpenzoni shumë ujë – thesi i shqyer!

• Jepni sadakë të varfërit, dhe pastaj e poshtëroni dhe e fyeni – thesi i shqyer!

• Falni namaz, agjëroni, jepni zekat – por nuk kujdeseni për familjen – thesi i shqyer!

• Agjëroni dhe duroni urinë dhe etjen, por shani, qortoni dhe mallkoni – thesi i shqyer!

• E mirëpritni musafirin dhe e respektoni, por kur shkon ju flisni keq për të – thesi i shqyer!“

Kurse një dijetar yni (prof. Zuhdija Adiloviq) në një nga hutbet e tij ka shtuar edhe:

• Nuk është në gjendje të shkojë në haxh për shkak të çmimit të lartë, por mund të udhëtojë diku vetëm mjedisin për ta ndërruar dhe pak për të pushuar.

• Nuk është në gjendje të blejë kurban, por mund të blejë iPhone për të qenë në modë.

• Nuk është në gjendje të lexojë nga 10 ajete nga Kurani çdo ditë, por i lexon nga 100 mesazhe në facebook.

• Nuk është në gjendje ta paguajë anëtarësimin e Bashkësisë Islame vetëm 3 euro në vit, por e paguan nga një pako cigare çdo ditë… “

Biografët kanë regjistruar një ngjarje interesante dhe shumë këshilluese e cila i ka ndodhur Ahmed b. Miskinit (dijetar i shekullit III hixhrij), i cili tregon e thotë:

*** „Unë u sprovova me një varfëri të madhe në vitin 219 h. Mbeta pa asgjë, ndërsa e kisha gruan dhe një fëmijë (djalë) të vogël. Uria thjesht na shkatërroi. Definitivisht vendosa që ta shesë shtëpinë dhe të largohem. Dola që të takoja dikë të cilit do t’ia shesë shtëpinë. E takova Ebu Nasrin, të cilin e informova se kam vendosur ta shesë shtëpinë. Ai atëherë mi dha dy kore të bukës me ëmbëlsirë në mes dhe më tha: – Ja, ushqeje familjen tënde.

U nisa për në shtëpi, por gjatë rrugës e takova një grua me një djalë të vogël i cili po qante. Ajo ma shikoi bukën dhe më tha: – O njeri, ky fëmijë është jetim, është shumë i uritur, dhe nuk po mund ta durojë urinë, prandaj ushqeje, Allahu të mëshiroftë!

Fëmija më shikoi me një shikim të cilin kurrë nuk do ta harroj. Mu duk se xheneti zbriti në tokë dhe po i ofrohet atij që e ushqen këtë fëmijë dhe nënën e tij. Ia dhashë asaj ato dy kore të bukës nga dora ime dhe i thashë: – Merre këtë dhe ushqeje fëmijën tënd.Pasha Allahun, unë nuk kam asgjë, kurse në shtëpinë time është ai që ka nevojë për këtë ushqim edhe më shumë se ju!

Gruas i rrodhën lotët, kurse në fytyrën e djaloshit u shfaq një buzëqeshje!

E vazhdova rrugën i pikëlluar dhe i tronditur duke menduar për shitjen e shtëpisë, në atë moment erdhi Ebu Nasri, sikur donte të fluturojë nga gëzimi dhe më tha:

– Ti po qëndron në rrugë, kurse në shtëpinë tënde ka ardhur një nafakë e madhe! Subhanallah!

– Prej nga, kjo, o Ebu Nasër?!, e pyeta.

– Ka ardhur një burrë nga Horosani dhe po e kërkon babain tënd ose dikënd nga familja e tij, kurse me vete ka sjellë shumë ngarkesa me mallëra të ndryshëm.

E pyeta, çka po donte.

Ai më tha: Ishte një tregtar nga Basra, të cilit babai juaj para 30 vjetëve i kishte dhënë të holla për qarkullim. Mirëpo, ai kishte falimentuar në biznesin e tij dhe ishte zhvendosur në Horosan. Atje kishte pasur sukses në tregti dhe ishte bërë jashtëzakonisht i pasur. Tash është kthyer në Basra për t’ia kthyer babait tënd paratë dhe fitimin e 30 viteve, dhe për t’ia kërkuar hallallin. Dhe kështu unë u bëra i pasur.

Së pari e falënderova Allahun e Plotfuqishëm, për begatitë e Tij, pastaj e gjeta atë gruan e varfër dhe fëmijën e saj, ju dhashë një sasi të holla dhe ju caktova një pagë mujore.

Vazhdova të bëj tregti me atë pasurinë, duke u kujdesur për të varfrit dhe për ata që kanë nevojë, por megjithatë pasuria, me vullnetin e Allahut, vazhdimisht rritej.

U bëra i lumtur dhe krenar me veten time, sepse arrita që me veprat e mia të mira t’i mbushi regjistrat të cilët i regjistrojnë melekët, si dhe shpresova se isha bërë një rob i sinqertë i Allahut.

Një natë më zuri gjumi dhe pashë në ëndërr se kishte ardhur Dita e Gjykimit. Njerëzit ishin të shqetësuar dhe vazhdimisht po ecnin. Ata po i bartnin veprat e tyre të këqija në shpinë si ndonjë material. Shpinat e disave prej tyre ishin shumë më të gjera dhe më të mëdha se zakonisht, në mënyrë që të mund t’i mbanin të gjitha veprat e tyre. Disa mëkatarë bartnin barrë aq të madhe, në shpinën e tyre, sa gjithë qyteti.

Pastaj u vendosën peshoret për matjen e veprave. Unë erdha para peshores dhe filluan të maten veprat e mia. Veprat e mia të këqija u vendosën në një tas, kurse në tasin tjetër veprat e mira. Për habinë time, veprat e këqija i rënduan. Pastaj ata e shtonin një nga një vepër të mirë që kam bërë.

Mirëpo, nën çdo vepër të mirë ishte një pasion i fshehur, si hipokrizia, mendjemadhësia dhe kënaqësia në lavdërimin e njerëzve, kështu që asnjëra prej tyre nuk pranohej. Isha i sigurt se kisha dështuar.

E dëgjova një zë duke thënë: A ka mbetur edhe diçka? Ata thanë: Ka mbetur edhe kjo!

Shikova se çka ka mbetur dhe i pashë ato dy koret e bukës që ia dhashë asaj gruaje dhe fëmijës së saj.

Atëherë isha edhe më i sigurt për shkatërrimin tim, sepse isha i vetëdijshëm se unë kam dhënë shumë më tepër. E dija se kisha dhënë me qindra monedha ari (100,000 euro) për njëherë, por nuk më ishin pranuar.

Pastaj i vendosen ato dy koret e bukës në tasin e veprave të mira, dhe tasi filloi të zbriste dhe të peshojë edhe pak. Më pas, i vendosen lotët e gruas së varfër, të cilës i dhashë përparësi mbi familjen time dhe ia dhashë ato dy koret e bukës. Atëherë filloi edhe më tepër të zbresë tasi derisa ata bërtitën: Është i shpëtuar! ***

Të dashur vëllezër!

Le ta pyesim veten se a kemi ne ndonjë kore të bukës, e cila do të na shpëtojë në Ditën e Gjykimit, apo të gjitha veprat tona të mira i kemi depozituar në thes të shqyer?

Përshtati: Miftar Ajdini

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]