Connect with us

Religjion

O besimtarë! kini frikë allahun, dhe le të shikojë çdonjëri se çka ka bërë për nesër…!

Published

on

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavati dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër!

Në hutben e sotme do ta kemi për bazë ajetin 18, të sures el-Hashr:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe çdo njëri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”

Tek Allahu ekzistojnë dy kohë: “e sotmja” do të thotë, dynjaja – kjo botë dhe “e nesërmja“, do të thotë, ahiret – Dita e Gjykimit. Tek Allahu ekzistojnë edhe dy lloje njerëzish: besimtarë dhe jobesimtarë.

Për ta shpjeguar në mënyrë më të thjeshtë këtë ajet, do t’ju tregoj një tregim, i cili është krijuar para 2500 vjetëve, por për shkak të bukurisë, universalitetit dhe mësimit të tij, jeton edhe sot, duke u transmetuar brez pas brezi.

*****                 *********           ********

Në fushat pranë hendekut, në barin e dendur, jetonin një milingonë dhe një gjinkallë. Kur erdhi vera, derisa gjinkalla këndonte gjithë ditën, milingona shkonte me zell nëpër ara dhe mblidhte grurë dhe elb. Duke punuar shumë, pak nga pak grumbulloi furnizime për dimër. Herë pas here gjinkalla tallej me milingonën:

– “Vërtet nuk e kuptoj pse po mundohesh kaq shumë, kur është kaq bukur ta shijosh diellin e ngrohtë! Eja, pusho pak!”

– “Do të ketë kohë për të pushuar kur të vijë dimri!” – iu përgjigj milingona.

Erdhi vjeshta, pastaj edhe dimri. Shiu e lau edhe kokrrën më të vogël të ushqimit nga toka. Gjinkalla  e pamenduar papritmas vuri re se dollapi i saj ishte bosh; më pas, e ngrirë dhe e uritur siç ishte, trokiti në derën e milingonës dhe thirri me një zë të përlotur:

“Të lutem, më jep diçka për të ngrënë, kurse unë do ta kthej kur të vjen vera.”

– “Po çfarë ke bërë ti deri tani?” – pyeti milingona.

– “Të them të vërtetën, unë vetëm kam kënduar…” u përgjigj gjinkalla.

– “Shiko, nëse je e uritur, gjindu disi, nëse ke të ftohtë, kërce dhe do të ngrohesh!” i tha milingona duke qeshur, dhe vazhdoi:

– Po të kishe punuar me zell, tani edhe ti do të kishe ushqim!

Të dashur vëllezër!

Ky është teksti origjinal i këtij tregimi të bukur. Por në kontekstin e sotëm do të lexohej kështu:

U një vend të bukur kishin lindur dy foshnje. Kur ishin të vegjël luanin të shkujdesur dhe të gëzuar, sepse e vetmja gjë që kishte rëndësi për ta ishte ajo “e sotmja”. Kjo ishte kështu derisa ata u bënë persona të rritur. Kur u rritën, njëri prej atyre foshnjave u bë një besimtar i sinqertë, ndërsa tjetri nuk kujdesej shumë për fenë. Derisa ai që ishte besimtar i sinqertë punonte me zell për ta ushqyer veten dhe familjen e tij në mënyrë hallall. Derisa ai që ishte besimtar i sinqertë i vizitonte me zell xhamitë, lexonte Kuran, bënte dhikër, e falte namazin, e agjëronte ramazanin, e jepte zekatin dhe përpiqej të mblidhte mjete për haxhillëk, duke u përgatitur kështu për “të nesërmen” – për ahiret, a tjetri e kalonte kohën duke u argëtuar dhe dëfryer.

Shkonte nëpër lokale, kafene, bastore, kazino, etj. Herë pas here, duke pirë birrë të ftohtë, e shihte këtë shokun e tij, se si, megjithëse ishte i lodhur nga puna, shkonte në xhami, kështu që i thoshte: “Hajde bre burrë, pusho pak. Le të kënaqemi sa jemi të rinj, kur të plakemi atëherë do t’i përkushtohemi fesë së bashku. Hajde, se ka kohë!”

Kurse ky tjetri i përgjigjej: “Kohë për pushim do të ketë “nesër”, kurse “sot” duhet të punojmë dhe të përpiqemi!”

 Kështu koha po kalonte ditë pas dite. Ky përpiqej të ishte sa më besimtar, ndërsa ai tjetri ishte i pakujdesshëm, duke planifikuar të ndryshojë kur të plaket. Por as njëri dhe as tjetri nuk u plakën, u sëmurën shpejt dhe u transferuan në “të nesërmen”, në ahiret.

Dhe kur erdhi e “nesërmja” dhe ai i shkujdesuri sheh se çfarë e pret, filloi të bërtasë: “O Zoti im, më kthe që të bëj ndonjë të mirë në atë që kam humbur!” Por atij do t’i përgjigjen: “S’ka mundësi, vendbanimi yt i përjetshëm do të jetë Xhehenemi i tmerrshëm.” Ndërsa, ai miku i tij besimtar i sinqertë dhe i zellshëm, është shpërblyer me faljen, mëshirën dhe me Xhenetin e bukur të Allahut, është ulur në kolltuke të bukura, është shërbyer me pijet dhe ushqimet më të shijshme nga vajzat e bukura.

Ja, kështu i shpërblen Allahu ata që punojnë me zell në të “sotmen”.

Të dashur vëllezër!

E nesërmja” duhet të përfshihet në “të sotmen”. Kjo quhet përgatitje e vërtetë. Pa e inkorporuar “të nesërmën” në “të sotmen”, “sot” asgjë nuk mund të jetë e mirë dhe e bukur, sado e mirë dhe e bukur të na duket për një moment.

O Allah, të lutemi, na jep të mira edhe në “të sotmen” edhe në “të nesërmën”! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]