Connect with us

Religjion

Është më mirë edhe në shtëpi të falemi, vetëm ta ruajmë unitetin dhe dashurinë!

Published

on

Dijetari dhe Imami i famshëm egjiptian Hasan el-Benna ishte duke u përgatitur për ta falur namazin e teravisë në xhami, kur papritmas fillon një debat i nxehtë në mes të njerëzve. Në fakt, disa kërkonin që të faleshin tetë rekate të teravisë, ndërsa të tjerët këmbëngulnin që të falen njëzet rekate. Atëherë e pyetën atë, si imam të tyre:

“Kush ka të drejtë, e kush është gabim?”

Imami el-Benna nuk u përgjigj asgjë, sepse çdo përgjigje vetëm do ta përkeqësonte situatën. Në vend të kësaj, imami ju bëri pyetje atyre:

“A është teravija farz apo sunnet?”

Të gjithë u përgjigjën: “ajo është sunnet!”

Imami pastaj shtoi: “Mirëpo uniteti i muslimanëve është farz! A do ta thyejmë farzin, për ta zbatuar një sunnet?! Është shumë më mirë që të falemi në shtëpi, vetëm ta ruajmë unitetin dhe dashurinë vëllazërore.”

Në kohën dhe rrethanat aktuale në të cilat po jetojnë muslimanët, pyetja kyçe është, kush po e rrënon unitetin dhe dashurinë vëllazërore mes muslimanëve duke e shkelur farzin, nën pretekstin e zbatimit të ndonjë sunneti, madje edhe duke bërë imponimin e zakoneve dhe traditave të rajoneve të tjera dhe zonave tjera gjeografike? Prandaj, është e domosdoshme që të nxirret në pah dhe të shpjegohet, veçanërisht kjo është detyrë për njohësit e sheriatit, se çfarë është statusi moral dhe shkalla e mëkatit të atij i cili nuk i përmbahet farzit – ruajtjes së unitetit të bashkësisë – por qëllimisht, edhe përkundër paralajmërimit në vazhdimësi kryen mëkat. Nëse shkelja me vetëdije e farzit dhe vazhdimësia në të është mëkat i madh, atëherë personat e tillë si mund të bëhen për dikën shembull në fe dhe të denjë për vëmendje, përveçse për mëkatarët dhe ngatërrestarët?

Është më se e qartë se në mesin e muslimanëve ka njerëz të cilët tregojnë moskuptim të mesazheve themelore dhe prioriteteve natyrore të fesë, vendit dhe kohës. Në të njëjtën kohë janë shumë të zhurmshëm dhe të bujshëm në mbrojtjen dhe imponimin, madje edhe agresiv, ndaj perceptimeve të tyre të Islamit. Fjalët dhe veprimet e tyre tregojnë se në kokat e tyre ka çrregullim dhe kaos, i cili pastaj rrezaton në botën rreth tyre. Gjendja e tillë shpirtërore dhe mendore nuk është e mirë. Duhet të shërohet, të vendoset diagnoza adekuate dhe trajtimi. Ajo kërkon seriozitet të plotë, sepse diagnoza dhe terapia e gabuar vetëm do ta përkeqësojnë sëmundjen dhe mund të ketë pasoja fatale. Është i njohur mirë konstatimi se të gjitha luftërat dhe konfliktet fillojnë në mendjet e njerëzve shumë më herët para se kur gjuhet plumbi i parë, por gjithashtu, edhe përfundojnë në mendjet e njerëzve, shumë më vonë se sa kur gjuhet plumbi i fundit. Prandaj, Kushtetuta e UNESCO-s e vitit 1945 thotë: “Lufta fillon në mendjet e njerëzve, e pikërisht aty fillon edhe paqja.”

Prandaj, në kokat e të gjithë njerëzve, veçanërisht të atyre që tregojnë simptoma të sëmundjeve të caktuara, duhet mbjellë mençurinë, moralin, diturinë, drejtësinë, aftësinë për të dalluar të vërtetën nga gabimi, besimin e drejtë nga herezia, të kuptuarit e kohës dhe hapësirës. Sigurisht, çdokush ka të drejtë të ketë mendimin e tij, por nuk mund të ketë të drejtën e fakteve të tij dhe të vërtetës, të ketë ekskluzivitet për vërtetësi vetëm të interpretimit tij të fesë pa i përmbushur kërkesat dhe faktet e sakta shkencore. Nëse lejohet që të dominojnë ata të cilët nuk e kuptojnë mesazhin themelor të Islamit dhe prioritetet e tij elementare, në mendjet e të cilëve banojnë rrëmuja dhe çrregullimi, do të kemi bashkësi dhe shoqëri të anarkisë. Madje edhe kur bëjnë thirrje për në fenë e vërtetë:

“Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. – E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.”(el-Bekare, 204-205)

Në kumbimin e tyre të kot dhe në agresivitetin e papranueshëm zhduket urtësia dhe fetaria të cilat, me sa duket, ata duan t’i përfaqësojnë. “Njerëzit e mençur flasin, sepse ata kanë çka të thonë. Budallenjt flasin sepse duhet të thonë diçka.” (Platoni)

P.S. Më duket se do të ishte interesante dhe e dobishme sikur nga konteksti aktual të analizohet intenca e fjalëve të Muhamedit (savs), ku thotë “nuk është prej nesh”, ai i cili i bën disa vepra të caktuara.

Burimi: rijaset.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK