Religjion
Të jetosh në vetmi

Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve i Cili ka krijuar, ndër të tjerash, kohën dhe njeriun. Kur njeriu e çmon kohën, ai ka vlerësuar një mirësi të Zotit, për të cilën edhe është betuar. Koha ka mundësi të kalohet vetëm, por ka mundësi të kalohet edhe me shoqëri dhe në aktivitete shoqërore. Njeriu i sodit si duket është prirur të distancohet, ta kalojë kohën i vetëm, me dëshirën apo pa dëshirën e tij. Kalimi i kohës në vetmi, njeriut i kanos jetën dhe shëndetin. Vetmimi vetëm me Zotin, vetmia duke u thelluar herë pas here në meditim, sigurisht se është e shëndetshme dhe e kërkuar, por jo të jetë stil dhe modë kohe. Veçimi dhe largimi pa nevojë nga njerëzit është ikje nga vetvetja, e përshkuar me sfida dhe probleme të ndryshme.
Në dhjetë vitet e fundit, mjekësia ka bërë të ditur se vetmia është një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në shkatërrimin e shëndet dhe në shtimin e sëmundjeve dhe rritjen e numrit të vdekjeve. Sipas disa hulumtimeve më të reja, vetmia shkakton më shumë dëme se sa mund të shkaktojë mbipesha, shtypja e lartë dhe pirja e duhanit.
Nëse i shfletojmë tekstet fetare, Kur’anin dhe traditën profetike, do të shohim se të jetuarit i vetëm, larg njerëzve, nuk është e përkrahur nga Zoti dhe aspak e shëndetshme.
Në faqet e Kur’anit fisnik hasim shqetësimin e Zekerijjasë a.s., i cili në moshë të shtyrë, nga frika se do të mbetet pa trashëgimtar, iu drejtua Zotit me lutjen: “U frikësohem të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është sterile, andaj më dhuro nga ana jote një pasardhës.” (Merjem, 5).
Lutja e Pejgamberit Zekerijja a.s., në një kuptim më të gjerë, mund të kuptohet si një shprehje natyrale e frikës njerëzore nga vetmia dhe të mbeturit i vetëm dhe në vetmi.
Ka njerëz që kanë nevojë të distancohen nga pak prej njerëzve, sepse kështu ndjehen më rahat, por ka edhe të tillë që, edhe përkundër asaj se janë të rrethuar me njerëz, përsëri ndjehen të vetmuar, për mos me thënë më keq, të lënë pas dore.
Vetmia përjetohet më rëndë atëherë kur njerëzit e tu të afërt, që me ta ke lidhje emocionale, nuk i ke pranë dhe nuk të vizitojnë. Sa shumë nëna dhe baballarë kemi sot të vetmuar? Sa e sa vëllezër u ndanë nga motrat e tyre, nga kushërinjtë dhe shokët, të cilët, për shkaqe të vështirësive dhe nevojave ekzistenciale, u dashtë të ndahen dhe të marrin rrugët e ndarjes nga njëri-tjetri?
Teknologjia bashkëkohore ka bërë që rreziku që vjen nga vetmia të jetë më i madh dhe të kërcënojë më shumë. Çdo ditë e më tepër, kontaktet e gjalla dhe të drejtpërdrejta, po zëvendësohen me komunikimin virtual. Edhe pse të rrethuar dhe të lidhur me tërë botën, prapëseprapë, të rinjtë e sodit ndjehen intenzivisht të vetmuar dhe të vetëmbyllur. Për më tepër, ata që vuajmë më shumë nga pasojat e vetmisë janë të moshuarit, ku, sipas disa të dhënave, thuhet se mbi 40% e vetëvrasjeve realizohen nga persona të moshës 65 vjeçare e sipër, ndërsa si arsyetim merret zhgënjimi që përjetojnë nga ikja njerëzve të afërt dhe mos interesimi i shoqërisë për t’ju qëndruar afër.
Sot, për fat të keq, gjithnjë e më shumë po shohim se si po rritet individualizmi, egocentrizmi dhe narcizmi, kurse, nga ana tjetër, vrullshëm është pakësuar empatia për njëri-tjetrin, solidariteti dhe dëshira për t’u parë dhe për t’u takuar.
Hulumtimet tregojnë se çdo ditë e më tepër kemi njerëz të vetmuar, të rinj dhe pleq të vetmuar. Pikërisht për këto dy kategori të njerëzve ka folur Muhammedi a.s., i cili në një hadith thotë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i respekton të moshuarit dhe nuk i mëshiron të vegjlit.”
Njeriu është qenie shoqërore dhe lidhja e tij emocionale me të tjerët e plotëson dhe e bënë më të lumtur. Njeriu, duke u mbështetur te tjetri, e gjen qetësinë dhe përkrahjen. Sa më shumë që të aktivizohet dhe t’ju bëjë mirë të tjerëve, aq më shumë ai i afrohet Zotit, Krijuesit që posedon faljen dhe mëshirën e madhe.
Duke e kuptuar se jeta nuk ka kuptim pa bashkësinë, pa komunitetin, pa tjetrin, thuhet se gati çdo i katërti evropian merr pjesë aktive në ndonjë organizim vullnetar shoqëror. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht se ka një lidhje të fortë në mes dhurimit e ndihmës dhe kënaqësisë shpirtërore e shëndetit fizik. Sa më shumë që vizitojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, aq më shumë forcojmë sistemin e imunitetit tonë shpirtëror dhe fizik.
I Dërguari i Allahut na këshillon se ilaçi kundër vetmisë dhe izolimit është mbajtja e lidhjeve familjare dhe miqësorë, me të cilët ndajmë bindjet, mjedisin ku jetojmë dhe ku veprojmë, duke i shtuar sa më shumë veprat e mira:
Ebu Hurejre r.s. përcjell se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kush ia largon një besimtari një brengë të kësaj bote, Allahu do t’ia largojë atij një brengë të Ditës së Kiametit. Kurse kush ia lehtëson ndonjë vështirësi atij që ka, Allahu do t’ia lehtësojë në këtë botë dhe në të amshueshmen. Kush ia mbulon të metat ndonjë muslimani, Allahu do t’ia mbulojë atij të metat në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i ndihmon robit të vet për aq kohë sa ky i ndihmon vëllait të vet.” (Imam Muslimi).
E, pa dyshim se për t’i arritur këto nivele shpërblimi dhe përkrahjeje hyjnore, nuk mund të arrihet pa u përzier me njerëzit dhe pa e kaluar kohën me ta. Pajtohem, ndonjëherë njeriu ka nevojë për vetminë, por me të të sillet sikur me ilaçin, të cilin e merr vetëm kur i duhet.
(Islampress.ch)






















