Pretendimet e Rusisë pa prova të cilat thonë se plani i Ukrainës është të përdorë “bombë të pisët’ nuk duhen të përdoren nga Kremlini si pretekst për eskalim të luftës, ka thënë sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media të martën.
“Rusia rrejshëm deklaron se Ukraina është duke u përgatitur të përdorë bombë me elemente radiologjike në territorin e saj. Aleatët e NATO-s e refuzojnë këtë deklarim të rrejshëm. Rusia shpesh akuzon të tjerët për atë që planifikon ta bëjë vet. Ne e kemi parë këtë më herët nga Siria në Ukrainë. Rusia të mos përdorë pretekste false për të shpikur eskalime”, ka thënë ai.
Stoltenbergu i ka përshkruar pretendimet si të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme.
Bomba e pistë është armë e kombinuar me dinamit dhe materiale radioaktive.
Shpesh i është referuar si armë për terroristë, jo për shtete, dhe është e dizajnuar për të përhapur panik më shumë se sa për të eliminuar ndonjë cak ushtarak.
“Cilido përdorim i armëve nukleare në Ukrainë do të ndryshojë natyrën e konfliktit. Presidenti rus, Putin e di që lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet asnjëherë të niset. Gjithashtu e di që do të ketë pasoja. Ne jemi duke e monitoruar shumë afër situatën dhe jemi vigjilent dhe të gatshëm të reagojmë nëse është e nevojshme. E rëndësishme tani është që t’i dërgohet mesazh Rusisë që nuk duhet përdorur armë bërthamore në Ukrainë”, ka thënë ai.























