Connect with us

Religjion

Me pejgamberinë e Muhamedit (savs) kanë rrjedhur burimet e mëshirës

Published

on

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Të dashur vëllezër!

Jemi në muajin rebiul-evvel, në të cilin ka lindur Pejgamberi ynë (savs), shefatxhiu ynë, mëshira e të gjitha botëve dhe shembulli më i bukur. Ka qenë 12 rebiul-evveli, dita më e lumtur për planetin tonë, prandaj edhe ne po e presim me padurim. (te ne, sonte, e premte në mbrëmje, 07 tetor 2022, është nata, kurse nesër, të shtunën 08.10.2022, është dita e mevludit).

Vëllezër të respektuar!

Për temë të hutbes së sotme, e kam zgjedhë një material nga dijetari i shquar islam, dr. Muhamed el-Gazaliu, me titull: “Me pejgamberinë e Muhamedit (savs), rrjedhin burimet e mëshirës!”

Mëshira me të cilën lidhet pejgamberia e Muhamedit (savs), dhe shpallja që i erdhi atij, manifestohet në mënyrën e sjelljes që Allahu i Plotfuqishëm ka vendosur mes njerëzve. Në fakt, pabarazia mes njerëzve është e dukshme, edhe pse të gjithë njerëzit janë nga Ademi dhe Hava. Dallimet e tyre në aftësitë (talentet) e lindura dhe në pozitat shoqërore, në statuset dhe mundësitë janë objekt i një sprove shumë të vështirë, prandaj Allahu i Plotfuqishëm thotë:

„… Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.” (el-Furkan, 20)

Ekzistojnë të pasurit dhe të varfërit, të diturit dhe të paditurit, të fortët dhe të dobëtit, mendjemëdhenjtë, të poshtërit, fisnikët dhe enigmatikët, të zinjtë dhe të bardhët, etj.

Islami që në fillim e ka konfirmuar se nuk ka njeri që nuk do të sprovohet dhe testohet për mundësitë që i janë dhënë dhe për rrethanat që e rrethojnë. Dëshira e tij për përparim dhe ngritje ose dëshira për stagnim dhe rënie e përcakton fatin e tij.

Parimi islam thotë: “Çdo njeri është peng i veprave të veta.“ (et-Tur, 21) kështu që të ardhmen e njeriut e përcakton disponimi i pronës jo vetë prona, dhe qëndrimi ndaj shkencës jo vetë shkenca, janë që e përcaktojnë pozicionin e tij.

Kjo do të thotë se, të pasurit duhet t’i ndihmojnë të varfrit, përndryshe do të vuajnë, se dijetari duhet ta arsimojë injorantin, përndryshe do të devijojë dhe dështojë. Kushdo që ua mohon njerëzve dhuratën e inteligjencës dhe të pasurisë së tij, ai do të bjerë nga niveli i devotshmërisë, dhe ajo që ka fituar në këtë botë nga pasuria dhe prestigji nuk do t’i bëjë dobi.

Pala tjetër duhet të përpiqet për të mirën dhe plotësimin e maturisë dhe pjekurisë pa keqdashje dhe fyerje, sepse Pejgamberi (savs) thotë:

“Nuk është prej nesh ai që nuk i respekton të moshuarit tanë, nuk i mëshiron fëmijët tanë dhe nuk i njeh të drejtat e dijetarëve tanë.“ (Tirmidhiu)

Njerëzit – sipas logjikës së Islamit – janë degë të një peme, kurse baza e marrëdhënieve mes tyre është njohja dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Dunjaja është shtëpi testesh dhe provimesh, kurse ai provim i ka kërkesat, manifestimet dhe kushtet e veta. Islami, përmes të këtij testi, ua kujton njerëzve nevojën e dhembshurisë mes tyre, shmangien e fortësisë së zemrës dhe topitjen e ndjenjave.

A nuk keni dëgjuar që Allahu e ka falur prostitutën e cila i ka dhënë ujë një qeni të etur? Atëherë, imagjinoni se çfarë shpërblimi ju jep atyre që ua lehtësojnë dhimbjen dhe vuajtjet e  njerëzve?!

Të dashur vëllezër!

Islami e ka lejuar luftën, por vetëm kur ajo nënkupton mirëqenien e njerëzimit. Lufta është absolutisht e dënueshme dhe është krim kur paraqet agresion ndaj të dobëtit, kur i rrezikon të drejtat e tyre dhe kur e mjegullon të vërtetën duke u përpjekur ta shuajë dritën e saj.

Ndërsa, kur lufta bëhet me qëllim të shkatërrimit të tiranisë, të evitimit së shtypjes dhe pengimit të tiranëve dhe zullumqarëve, atëherë ajo është mbështetje dhe ndihmë për të shtypurit, kurse disiplinim për tiranët. Lufta këtu nuk do të thotë asgjë më shumë se ndëshkimi i banditëve e hajdutëve, dhe ky është pikërisht njëri nga kuptimet e dhembshurisë dhe sigurisë që i mungon botës.

Kurani i paralajmëron zullumqarët dhe injorantët se ajo është kulmi i mëshirës, dhe se Allahu i ka dërguar pejgamberët si mëshirë, siç thuhet në ajetet vijuese:

“Hâ, Mîm. – Betohem në Librin e qartë! – Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. – Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë. – Me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi dëguar të dërguar. – Si mëshirë prej Zotit tënd…”

Njerëzit përpiqen të bëhen arrogantë dhe të lartësohen mbi të tjerët edhe aty ku ky lartësim nuk ka kuptim, prandaj Islami e ka ndaluar lartësimin e të bardhëve mbi të zinjtë, lartësimin e të fortëve mbi të dobëtit, lartësimin të moshuarve mbi të rinjtë, dhe e ka ndërtuar qytetërimin e tij mbi parimin se, përparësia dhe avantazhi edhe në këtë botë, edhe në botën e ardhshme është vetëm në devotshmëri dhe dëshirë për të mirë.

Mesazhi i të Dërguarit të Allahut, Muhamed (savs), ka bërë që burimet e mëshirës të rrjedhin mes njerëzve nëpërmjet parimeve mbi të cilat ai bazohej, dhe mbi mësimet të cilat i rrënjosi në zemrat e njerëzve. /Dr. Muhamed el-Gazali/

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty!
Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media