Religjion
Hutbe – MODELI MË I BUKUR!

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavati dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Të dashur vëllezër!
Tema e hutbes së sotme është: “Modeli më i bukur!
Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin fisnik thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (el-Ahzâb, 21)
Vëllezër të respektuar!
Në hutbe të tjera kemi folur se si prindërit tanë janë edhe mësuesit edhe edukatorët tanë të parë në të njëjtën kohë. Me fjalë të tjera, ata janë modeli ynë i parë në jetë. Nuk ka asnjë fëmijë që nuk do të dëshironte të jetë sikurse prindi i tij. Djali sikurse babai i tij, kurse vajza sikurse nëna e saj. Prandaj është shumë e rëndësishme që për prindërit të jetë model në jetën e tyre Pejgamberi ynë (savs), i cili u dërgua për të qenë mësues dhe edukator. Sepse, nëse Pejgamberi (savs), nuk është model për prindërit, atëherë, logjikisht, ai nuk do të mund të jetë model as për fëmijët e tyre. Sidomos kur fëmijët arrijnë në periudhën e pubertetit, kur prindërit e tyre më nuk janë interesantë për ta, dhe kur në skenën e jetës së tyre hyjnë disa modele të reja, madje edhe disa “idhuj”.
Në lidhje me këtë, dëshiroj të tërheq vëmendjen tonë për përdorimin e fjalës “idhull“, e cila shpesh përdoret si sinonim i fjalës “model“. Idhull do të thotë hyjni, kurse Islami i mohon hyjnitë dhe e adhurimin e tyre. Prandaj, nëse dikush thotë për dikë se ai është idhulli i tij, ai në të vërtetë e ka bërë mëkatin më të madh, që është “shirk-u” (të bërit shok Allahut).
Gjithashtu, dëshiroj të tërheq vëmendjen tonë për përdorimin e foljes “adhuroj“, të cilën disa njerëz e përdorin për të theksuar se dikë apo diçka e duan në veçanti. Kjo folje duhet të përdoret ekskluzivisht vetëm për Allahun. Pra, unë e adhuroj (vetëm) Allahun. Të thuhet se adhurohet diçka tjetër përveç Allahut, gjithashtu, është vepër shirk-u, prandaj duhet të kemi shumë kujdes gjatë përdorimit të kësaj foljeje, që të mos e shkatërrojmë pa nevojë besimin dhe veprat tona të mira. Mbase është më mirë, për masë paraprake, ta hedhim plotësisht jashtë përdorimit këtë folje ose ta zëvendësojmë me folje e shprehje të tjera si: e dua shumë, më pëlqen shumë, e preferoj shumë etj.
Le t’i kthehemi ajetit nga fillimi i hutbes. Për cilët njerëz Allahu i Plotfuqishëm thotë se Pejgamberi (savs), është model i tyre? Për ata që shpresojnë ta takojnë Zotin e tyre në botën tjetër, të cilët përgatiten për atë takim, dhe për të cilët dhikri (përmendja) e shpeshtë dhe e rregullt e Allahut të Plotfuqishëm është tregues i jashtëm i asaj përgatitjeje. Bazuar në këtë ajet, ftoj të gjithë neve që jemi të pranishëm, që të marrim nga koha jonë e ta pyesim vetveten dhe të mendojmë se, a është Muhamedi (savs), modeli ynë në jetën tonë? Apo ndoshta nuk është? Nëse po, deri në çfarë mase ai është edhe model për fëmijët tanë? Nëse nëse jo, atëherë çfarë mund të presim nga jeta jonë dhe, çfarë mund të presim nga fëmijët tanë?
Muhamedi (savs), falej rregullisht, edhe familjen e tij e urdhëroi që të faleshin, derisa t’u bëhej shprehi. Sot, shumë prej nesh nuk falen rregullisht ose falen vetëm në bajram, por do të donin që fëmijët e tyre të faleshin rregullisht. Ata i dërgojnë fëmijët në mësimbesim dhe fëmijët mësojnë të falen. Por, pas disa javësh ata harrojnë sërish gjithçka, sepse nuk falen në shtëpi. Prindërit e tyre nuk falin namaz, andaj pse duhet ata ta bëjnë këtë!?
E njëjta gjë është edhe me suret dhe lutjet. Prindi dëshiron që fëmija i tij t’i mësojë suret dhe lutjet, por ai nuk i kushton kohë fëmijës së tij, as nuk përpiqet t’ia mësojë apo përsërisë ato.
Prind dëshiron që fëmija i tij të mësojë të lexojë Kuran, por ai vetë nuk di të lexojë dhe nuk do të mësojë. Natyrisht që fëmija do të mësojë dhe do të lexojë derisa ta përfundojë atmen. Por pastaj? Pastaj ai do ta lërë Kuranin në vitrinë, do ta neglizhojë, dhe krejt do ta harrojë.
Nga ana tjetër, prindi i thotë fëmijës së tij: “Lëre telefonin dhe merre një libër!”, ndërsa ai vetë e ka telefonin non-stop në duar, ndërsa librin pothuajse kurrë.
Gjithashtu, p.sh. prindi pi alkool, pi duhan ose përdor drogë, por do të donte që fëmija i tij të mos e bënte këtë. Si do ta bindë atë se ajo është gabim kur ai vetë e vepron?
Të dashur vëllezër!
Ne gjithashtu e dimë se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Musliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë.” (transmetim unanim), por përsëri ne përgojojmë dhe shpifim për njëri-tjetrin, shajmë e ofendojmë gënjejmë për njëri-tjetrin.
Ne e dimë se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Ai që na mashtron nuk është prej nesh.” (Ahmedi, Muslimi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu), por prapëseprapë ne në mënyrë hipokrite e mashtrojmë njëri-tjetrin dhe buzëqeshim në mënyrë hipokrite në fytyrat e njëri-tjetrit.
Ne e dimë se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit.”… “I mjafton e keqja njeriut, nëse e poshtëron vëllanë e tij musliman.” (Tirmidhiu) por megjithatë, dëshirojmë që vëllai ynë musliman të jetë ndonjë i mjerë që ta shkelim nën këmbë; i shikojmë me xhelozi dhe zili begatitë e tij dhe, urojmë që ato të zhduken dhe krahas të gjitha problemeve që ka në jetën e tij, kërkojmë t’i hedhim edhe pak.
Çfarë lloj modeli ne po u japim fëmijëve tanë? Çfarë do t’i thoshim Pejgamberit (savs), nëse do të vinte sot dhe do ta shihte sjelljen tonë? Ku jemi ne në raport me Sunetin e tij? Dhe, me sjellje të tillë, si mund të shpresojmë një takim të bukur dhe të këndshëm me Zotin tonë? Dhe, si mund ta përmendim Allahun me zemra të tilla?
Allahu i dashur na mëshiroftë dhe na udhëzoftë në Rrugën e drejtë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini























