Connect with us

RELIGJION

A jam unë hajdut?!

Published

on

Një sudanez kishte studiuar në Irlandë. Pas përfundimit të studimeve dhe kthimit në Sudan i kishte shkruar përshtypjet e tij gjatë qëndrimit në Irlandë në formë të skicave mësimdhënëse. Ja dy prej tyre:

Skica e parë:

Unë kisha provime nga mjekësia, dhe shkova ta paguaj taksën për provime e cila kushtonte 309 funta. Nuk kisha të holla të imëta, andaj i pagova 310 funta. I kreva të gjitha provimet dhe u ktheva në Sudan. Pas disa kohëve, më erdhi një letër nga Irlanda, në të cilën shkruante: “Ju keni gabuar me rastin e pagesës së taksës për provime. Taksa kushtonte 309 funta, ndërsa ju keni paguar 310 funta. Ky është çeku në vlerë të një funte, sepse ne nuk marrim më shumë se që na takon?!”

Skica e dytë:

Kur shkoja çdo ditë nga banesa deri në universitet unë kaloja pranë një dyqani ku shitëse ishte një grua. Nga ajo një ditë bleva një paketë me kakao për 18 cent. Një ditë vura re se e kishte vendosur një raft tjetër për kakao të njëjtë dhe e kishte shkruar çmimin 20 cent. Unë u çudita dhe e pyeta a ka ndonjë dallim në mes atyre të dy llojeve të kakaos?

Ajo mu përgjigj se nuk ka asnjë ndryshim, janë të një lloji dhe të një cilësie.

E pyeta se cila ishte arsyeja që çmimi i kakaos në një raft të jetë 18 cent, kurse në raftin tjetër 20 cent?

Ajo mu përgjigj se në kohët e fundit ka ndodhur një problem në Nigeri, prej nga importohet kakao, dhe për këtë arsye është rritur çmimi. Ky më i shtrenjti është nga dërgesa e re, por ende nuk është shitur i vjetri, andaj çmimi është i ndryshëm. Unë i thashë se në këtë mënyrë askush nuk do ta blejë më të shtrenjtin deri sa të shitet më i liri. Ajo mu përgjigj: “Po, e di.

Unë atëherë i thashë: “Përzieje dhe së bashku shite me çmimin e ri. Askush nuk do të jetë në gjendje ta dallojë të riun nga i vjetri.”

Në këto fjalët e mia ajo më pëshpëriti në vesh: “Ju, a mos jeni hajdut?!”

Unë u befasova me përgjigjen e saj dhe vazhdova tutje, por ende edhe tash në veshët e mi më kumbojnë fjalët: “A jam unë hajdut?”

Çfarë morali është ky? Ky, në fakt, është morali ynë. Ky është morali i fesë sonë. Ky është morali i parimeve tona. Ky është morali të cilin na e ka mësuar Pejgamberi ynë (savs).

Me të vërtetë ne duhet tërësisht të rishqyrtohemi.

Ne duhet menjëherë t’u kthehemi vlerave themelore dhe të bëjmë një hap cilësor përpara për ndryshimin e vetvetes.

I lutem Allahut të Plotfuqishëm që të na ndihmojë t’i përmbahemi fesë sonë në mënyrë që i Plotfuqishmi të jetë i kënaqur me ne! Amin! /Dr. Zuhdija Adilović/

Përkthim: Miftar Ajdini