Religjion
A është jeta e kësaj bote burg për ne?

Jusufi (a.s.) u përball me dy opsione: ose t’i dorëzohej joshjes (mashtrimit) të gruas së Azizit ose të shkonte në burg.
Në momentin kur duhej të zgjidhte mes këtyre dyjave, ai tha:
“O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë që më ofrojnë ato. E, nëse ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem kah ato dhe do të bëhem njëri nga injorantët.” (Jusuf, 33)
Ai zgjodhi të burgoset për vite me radhë në një qeli burgu vetëm të mos e merr rrugën e mëkatit. Ai hoqi dorë nga liria e tij fizike për të mos e zemëruar Allahun e Plotfuqishëm.
Muhamedi (savs) ka thënë: “Kjo botë është burg për besimtarin, kurse është Xhenet për jobesimtarin.”
Çdo ditë na ftojnë t’i kalojmë kufijtë e Allahut. Ata na ftojnë në hedonizëm, lavdi boshe dhe ‘lehtësim’ financiar. Neve na ftojnë që të mos shqetësohemi për padrejtësinë dhe të zhytemi në puplat e pakuptimta të kulturës.
Refuzimi i të gjitha këtyre gjërave është pranimi i kufijve që Allahu i Plotfuqishëm na ka caktuar. Ky është pranimi se kjo botë është burg.
Ky është një burg në të cilin të gjitha dëshirat tona nuk mund të përmbushen në çdo kohë. Është një burg në të cilin i humbim ata që i duam në ndjekje të drejtësisë… por ku duhet të qëndrojmë brenda asaj që duket si një hapësirë e errët dhe e ngushtë.
Është një burg që na detyron të ndiejmë gjithçka – nuk na lejon ta lehtësojmë dhimbjen me mjete dehëse.
Është një burg që i mban trupat tanë të gatshëm, një burg që kërkon të jemi kujdestarë të vetvetes.
Nganjëherë na duket më lehtë ta hapim atë derë dhe të zhytemi në botën e cila na i topit shqisat tona dhe na bën ta harrojmë dhimbjen tonë, e cila na bën që ta harrojmë qëllimin tonë të vërtetë. Mirëpo, kur përballemi me dy mundësi, atëherë ndoshta duhet të themi atë që ka thënë Jusufi (a.s.): “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë që më ofrojnë ato.”
Ndonjëherë jeta e kësaj bote i përfshin llojet e vuajtjeve që na bëjnë të ndihemi të burgosur. Por ne e pranojmë atë, duke i detyruar dhe duke i formësuar zemrat tona në durim, duke shpresuar që kur të dalim më në fund nga ky burg i kësaj bote, Allahu i Plotfuqishëm do të na hapë derën e xhenetit.
Përkthim: Miftar Ajdini























