Connect with us

Religjion

I lumi ai njeri, me vdekjen e të cilit vdesin edhe mëkatet e tij

Published

on

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavati dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër!

Tema e hutbes së sotme është: “I lumi ai njeri, me vdekjen e të cilit vdesin edhe mëkatet e tij”

Imam Gazaliu ka thënë: “Vënia në qarkullim e të hollave të falsifikuara është zullum dhe padrejtësi, sepse punëtori është i detyruar të punojë me ato të holla nëse nuk e di se janë të falsifikuara, ndërsa nëse e di, dhe ai këto të holla ia përcjellë të dytit, të tretit dhe të katërtit, dhe të hollat e falsifikuara shkojnë dorë më dorë, atëherë të gjitha mëkatet e atyre që punojnë me ato të holla, do të shkojnë edhe në barrën e atij që i ka lëshuar këto të holla në qarkullim dhe e ka hapur derën për këtë mëkat.”

I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “Kush e vendos në Islam një zakon të keq, dhe me të punohet pas tij, do të ketë pjesë në mëkatet e të gjithë atyre që e praktikojnë atë zakon, ndërsa atyre aspak nuk do tu pakësohen mëkatet.” (Muslimi)

Disa dijetarë muslimanë kanë thënë: “Lëshimi në qarkullim i një dërhemi apo dinari të falsifikuar është vepër më e rëndë sesa vjedhja e 100 dinarëve, sepse vjedhja e 100 dinarëve është një mëkat i cili ndërpritet dhe përfundon me aktin e vjedhjes, kurse shpenzimi i parave të falsifikuara, do të thotë, futje e risisë dhe zakonit të keq, të cilin do ta praktikojnë njerëzit pas tij, kështu që ai do të ketë pjesë në atë mëkat 100 apo 200 vjet, derisa të përdoret ai dinari i falsifikuar.”

Prandaj, i lumi ai njeri me vdekjen e të cilit vdesin edhe mëkatet e tij, ndërsa i mjeri ai që vdes, kurse mëkatet e tij vazhdojnë të “jetojnë” pas tij edhe 100, 200 apo më shumë vjet, për të cilat ai do të dënohet në varr dhe do të japë llogari në Ditën e gjykimit.

Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur: “Ne, me të vërtetë, i ringjallim të vdekurit, i shënojmë veprat që i kanë paraqitur dhe gjurmët e tyre, e Ne i numërojmë të gjitha ato në Librin e qartë.” (Jasin, 12)

Do të thotë, Ne i kemi regjistruar edhe gjurmët e veprave të cilat i kanë lënë pas vetes, siç vjen në ajetin: “Atë ditë, njeriu informohet për veprat që i ka punuar, si dhe për ato që i ka lëshuar.” (el-Kijame, 13) Përkatësisht, do të jetë i informuar për mëkatet dhe gjurmët e veprave të këqija, të cilat i kanë vepruar të tjerët, duke e ndjekur zakonin të cilin ai e ka futur në praktikë.

Ka njerëz të cilëve ju shkruhen mëkatet edhe pas vdekjes së tyre, nëse ata derisa kanë qenë gjallë nuk janë kujdesur shumë dhe nuk ju kanë kushtuar vëmendje atyre mëkateve, duke i harruar gjurmët e këqija të veprave të tyre, të cilat kanë mbetur pas vdekjes së tyre me qindra vjet, dhe për shkak të cilave, gjithë ato vite, janë shkruar mëkate në librin e veprave të tyre, nëse ata nuk janë penduar dhe nëse Allahu nuk i ka falur.

Sa shumë muslimanë janë, të cilët kanë pushtet dhe mund të vendosin, që kanë marrë vendim për lejimin e konsumimit të alkoolit në vendet muslimane, nën pretekstin se alkooli është i lejuar për jomuslimanët dhe se në ato vende nuk vepron sheriati, që me këtë e kanë përhapur të keqen dhe mëkatin dhe nuk janë të vetëdijshëm, se atyre do t’u shkruhen gjynahet për shkak të përhapjes së çrregullimit për qindra vjet pas vdekjes së tyre.

Dhe sa shumë pronarë të mediave të ndryshme janë, të cilët me vetëdije e përhapin dhe promovojnë të keqen, imoralitetin, ateizmin dhe mëkatet tjera, nën pretekstin e lirisë së fjalës, por nuk mendojnë se do të kenë pjesë në mëkatet e çdo njeriu të cilin arrijnë ta çojnë në rrugë të gabuar, në mosbesim dhe shthurje.

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Për secilin njeri që vritet pa të drejtë, biri i Ademit (Kabili) do të ketë pjesë në atë derdhje të padrejtë të gjakut, sepse ai ishte i pari që e futi praktikën e vrasjes.” (Buhariu)

Dhe imagjinoni se sa njerëz janë vrarë padrejtësisht nga atëherë, dhe sa do të vriten padrejtësisht deri në Ditën e Gjykimit, sidomos në luftërat e padrejta pushtuese, në të cilat masovikisht vriten njerëz të pafajshëm, djali i Ademit (Kabili) në të gjitha do të ketë pjesë në mëkat në të gjitha vrasjet e padrejta, sepse ai vetë mori vendimin për të vrarë, edhe pse vëllai i tij (Habili) e këshilloi që mos ta bënte këtë. Por vrasësi nuk e dëgjoi këshillën e vëllait të tij.

Asnjë nga ne nuk është në gjendje t’i bartë mëkatet e veta, e si atëherë, në Ditën e Gjykimit, do t’i bartë edhe mëkatet e veta, e edhe mëkatet e atyre që i ka shpjerë në mashtrim, për të cilën gjë aludon ky ajet i Kuranit:

“(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!” (en-Nahl, 25)

I lumi ai i cili e bën llogari vetveten, i cili i shqyrton veprimet e tij dhe i cili sinqerisht pendohet për mëkatet e kryera dhe veprat e këqija, duke e korrigjuar me tevbe dhe pendim atë që e ka shkatërruar, sepse Allahu i Plotfuqishëm i fshinë dhe i fal mëkatet pas pendimit të sinqertë, siç thuhet në ajetin vijues të Kuranit:

“Përveç atyre që pas kësaj pendohen e përmirësohen, se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplot.” (Alu Imran, 89)

Le ta lexojmë sa më shpesh lutjen të cilën e ka lexuar Pejgamberi (savs):

 “O Zot, më fal gabimin dhe injorancën, tejkalimet në punët e mia të cilat Ti i di më mirë se sa unë. O Zot, më fal mua gabimet dhe qëndrimet e mia, injorancën dhe seriozitetin tim dhe gjithçka që unë bëj. O Zot, më fal për atë që kam bërë dhe do të bëjë, atë që e bëj haptazi dhe fshehurazi; Ti je i pari dhe i fundit, Ti për gjithçka vendos.” (Sahihul-Buhari, nr. 6398)

Kjo është një lutje shumë përmbajtësore me të cilën mund të lutemi për falje nga Allahu për të gjitha mëkatet. Le ta përsëritim edhe një herë dhe me të ta përfundojmë hutben e sotme:

“O Zot, më fal gabimin dhe injorancën, tejkalimet në punët e mia të cilat Ti i di më mirë se sa unë. O Zot, më fal mua gabimet dhe qëndrimet e mia, injorancën dhe seriozitetin tim dhe gjithçka që unë bëj. O Zot, më fal për atë që kam bërë dhe do të bëjë, atë që e bëj haptazi dhe fshehurazi; Ti je i pari dhe i fundit, Ti për gjithçka vendos.”

Përshtati: Miftar Ajdini

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media