Connect with us

Sport

Analistët e shohin Cluj favorit për të fituar, por presin paraqitje të denjë nga Ballkani

Published

on

Në prag të ndeshjes mes Ballkanit dhe CFR Cluj, analistët e njohur Gani Sejdiu dhe Rafet Prekazi, thonë se Cluj shihet si favorit në sfidën e sotme, por që Ballkani pritet të bëjë një paraqitje të denjë.

Ish trajneri i shumë klubeve elitare, tani në krye të Vëllaznisë së Gjakovës, Gani Sejdiu e vlerëson Cluj si favorit, por thotë se Ballkani do të ketë një përparësi pasi ka bërë historinë, andaj lojtarët nuk duhet të kenë presion.

“Duhet me e kuptu që është një nivel tjetër i garave. Kundërshtari është shumë më kualitativ, edhe me ma përvojë në nivelin e tyre në të gjitha aspektet. Por, Ballkani është në një situatë mendoj relaksuese, arsyeja është që kanë hyrë në histori edhe është klubi i vetëm kosovar që ka hyrë në fazën e grupeve. Kjo mund t’i shërbejë sepse nuk do ta kenë atë presionin e rezultatit”.

Sejdiu e vlerësoi fitoren si të vështirë që të arrihet, mirëpo shprehet i bindur se Ballkani do të tregojë paraqitje dinjitoze.

“Në aspektin taktik më pëlqeu deklarata e Dajës që thoshte se nuk do ta parkojnë autobusin në këtë grup, që Ballkani pak me të kujdesshëm dhe me lojën që e praktikojnë do të jetë shumë më efikas se të mbyllet dhe ta respektoj shumë kundërshtarin. Për një fitore ose diçka është vështirë, por që të bëjnë një paraqitje të denjë jam i bindur sidomos në Fadil Vokrri”.

“Ata janë duke e respektuar shumë Ballkanin me deklarata, pra janë duke treguar respekt ndaj kundërshtarit pavarësisht nivelit që janë më të lartë. Kjo do t’i shërbejë futbollit tonë edhe në nivelet më të larta. Jam i bindur që Ballkani do të tregojë një paraqitje shumë dinjitoze”.

Në fund, Sejdiu u shpreh optimist se Ballkani do të arrijë minimum gjashtë apo shtatë pikë në këto gjashtë ndeshje.

“Çdo skuadër që ka arritur në grupe janë kundërshtarë të vështirë ashtu edhe Ballkani, meqenëse kanë arritur në këtë fazë. Është në të njëjtin nivel tash për tash. Mendoj që minimumi është 6-7 pikë mundet më i marrë”, shtoi Sejdiu për Nacionalen.

Ndërsa, ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi, theksoi se Ballkani ka kualitet për të kërkuar rezultat pozitiv.

“Pres që Ballkani me tregu që ka kualitet, që nuk është rastësisht këtu, kjo është e tëra që pres prej lojës. Në futboll nuk ka ekip që nuk mposhtët, Ballkani ka kualitet që mundet me llogarit edhe në rezultat pozitiv. Sporti është sport, s’ka logjikë për mos mendu ndryshe”.

I pyetur për grupin jo të lehtë, Prekazi e sheh Slavian si favorit duke shtuar faktin se ata mposhtën Plzen.

“Slavia pak më favorit për faktin se kundërshtarin që luajti dje ndaj Barcelonës, e pati mposht në shtëpi të vetë. Kjo të tregon edhe për kualitet. Por, Ballkani duhet më marrë ndonjë rezultat të mirë, por për pikë nuk mund të jap ndonjë prognozë”, nënvizoi Prekazi. /nacionale.com

 

The post Analistët e shohin Cluj favorit për të fituar, por presin paraqitje të denjë nga Ballkani appeared first on Klan Kosova.

NA NDIQ NË FACEBOOK

Click Here To Join Native Media