Connect with us

Lajme

“Mehmeti gaboi në mënyrën si u përball me Enverin”, ish-kryehetuesi: Mesazhi i diktatorit për Isuf Kalon se kush do të ishte pasardhësi. “Lufta e ftohtë” mes Fiqiretit dhe Nexhmijes

Publikuar

Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Pasardhësi do të paragjykohej, do t’i nënshtrohej dënimit politik dhe eliminimit të shpejtë

Në rrethanat e krijuara pas ngjarjes së fejesës së prishur të djalit të kryeministrit ka filluar të flitej më hapur në familjet e udhëheqjes në Bllok dhe në vetë anëtarët e Byrosë Politike se Mehmet Shehu po vepron duke e mbivlerësuar veten si “numri një”, faktikisht po dublon dhe anashkalon Enver Hoxhën, kur ai aktualisht është zyrtarisht Kreu i Shtetit, ushtron funksionet me pushtetin e tij absolut dhe në kohën kur ai është akoma i gjallë. Enveri fillimisht do të deklaronte vendimin e tij për pasardhësin që do të kujdesej për shëndetin e tij. Në fund të muajit shtator të vitit 1980, pas vizitës së përditshme të mëngjesit, Enveri i ka kërkuar mjekut personal Isuf Kalo që të qëndronte ende pak minuta.

Në intimitet Enveri i ka komunikuar shkurt vendimin e tij: – “… Nëse ke diçka për të biseduar ose kërkuar për shëndetin tim, mund t’i drejtohesh Ramizit! E qartë, kuptove? – “Si urdhëron, ju kuptova”, shoku Enver. Do të komunikoj vetëm me shokun Ramiz.

Isuf Kalo ka siguruar e garantuar udhëheqësin se ka kuptuar vendimin dhe do të respektojë vullnetin e tij. Isuf Kalo ka shpjeguar se nga ai moment ai ka kuptuar mesazhin e vendimit të marrë, se Mehmeti nuk ishte më pasardhësi dhe ishte vendosur eliminimi i tij. Dallimi midis Hysniut dhe Mehmetit në marrëdhëniet me Enverin dhe kujdesin për shëndetin e tij. Në rolin që ka luajtur Mehmet Shehu pas vdekjes së Hysni Kapos ka rëndësi të njihet dhe të vlerësohet fakti se deri ku ishte parametri maksimal i besimit që kishte Enveri ndaj Mehmetit. Në bazë të të dhënave të bëra të njohura nga familjarët dhe mjekët, del se është e vërtetë se edhe Mehmeti pyetej nga mjekët për problemet shëndetësore të Enverit.

I natyrshëm ka qenë kujdesi dhe roli vendimtar i Nexhmijes si bashkëshorte besnike. Ajo pyetej e para dhe vendoste për gjithçka që mendohej se ishte e domosdoshme dhe e dobishme për shëndetin e bashkëshortit të saj. Në krahasimin e rolit të Hysniut dhe të Mehmetit në raport me Enverin merr rëndësi fakti se Hysniu si sekretar i Komitetit Qendror për organet e diktaturës e të kuadrit ishte personi që realizonte porositë dhe merrte vendimet e rëndësishme për drejtimin e partisë, duke vepruar në emër të Enverit. Me këtë cilësi ai imponohej edhe në veprimtarinë shtetërore, sidomos duke ndikuar drejtpërdrejt në veprimtarinë e përditshme në organet e punëve të brendshme, të ushtrisë, të drejtësisë etj. Mehmeti nuk kishte të drejta të tilla. Ai kryente vetëm ato të drejtimit të Qeverisë.

Mehmeti papritur nuk do të ishte më i besuari, do të mënjanohej dhe do të zëvendësohej nga Ramiz Alia për kujdesin ndaj gjendjes shëndetësore të Enverit. Kjo masë dhe ky qëndrim diametralisht i kundërt do të ishin edhe ndarja efektive personale e zyrtare dhe demonstrimi i pritshëm i armiqësisë vdekjeprurëse. Humbja e besimit për ruajtjen e jetës së Enverit tregonte edhe prishjen përfundimtare të marrëdhënieve miqësore e zyrtare midis dy personave më të rëndësishëm të njohur të kohës. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Enverit në vitin 1972, dihej se pas Nexhmije Hoxhës do të ishte Hysni Kapo, personi që do të pyetej nga mjeku personal për problemet që dilnin për gjendjen shëndetësore të Komandantit. Pas vdekjes së Hysniut kjo detyrë iu besua Mehmetit.

Papritur, në fund kjo detyrë me domethënie të madhe për familjen Hoxha dhe midis anëtarëve të Byrosë Politike i kaloi përfundimisht Ramizit, duke e afirmuar me statusin e ëndërruar si pasardhësi i besuar i udhëheqësit. Marrjen e kësaj detyre e ka dëshmuar edhe vetë Ramiz Alia, kur flet për mjekun Isuf Kalo në librin “Enveri ynë”.

Mehmet Shehu mund të thuhet se ka parashikuar dhe ka qenë i ndërgjegjshëm se do të pësonte fatin tragjik të njohur të shokëve që humbnin besimin dhe do të eliminoheshin me rreptësi nga Enver Hoxha. Mehmeti, është e natyrshme dhe e arsyeshme që të thuhet qartë se ai e ka kuptuar vendimin për ndëshkimin dhe eliminimin e tij. Ai ka qenë personi që ka pasur kontakte dhe marrëdhënie të ngushta zyrtare dhe shoqërore me Enverin që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare, ka dhënë kontribute të njohura në periudhën e gjatë të socializmit duke drejtuar qeverinë, ka qenë dëshmitar, protagonist dhe në ngjarjet e rënda ka qenë zbatuesi i besuar i politikës së luftës së klasave e urdhrave direktë nga Enveri, duke ruajtur me fanatizëm sekretin e aksioneve të fshehta, krimet e mbetura akoma të pazbuluara.

Përvoja e bindte se ai do të ishte viktima e radhës, që do t’i nënshtrohej vendimit kapital të dënimit dhe eliminimit. Ai nuk mund të kishte aludime për ndonjë ndjenjë sentimentalizmi të Komandantit ndaj tij për ta dënuar, por të lihej të jetonte. Mehmeti ka qenë i bindur se për vetë shërbimin e besuar dhe kohën e gjatë që kishte në detyrat më të larta partiake dhe shtetërore, si dhe si personi më i rëndësishëm që kishte dijeni dhe ishte protagonisti më i rëndësishëm për ngjarjet dhe si autor kryesor i realizimit të urdhrave të Komandantit, do të pësonte fatin e personave të eliminuar dhe që do të hynte në histori me legjendën e enigmës së eliminimit të tij.

Enver Hoxha ishte autoriteti më i lartë dhe me pushtetin e pakufizuar që do të mund të vendoste e urdhëronte eliminimin dhe zhdukjen e Mehmet Shehut. Fundin e caktuar përfundimisht e ka ditur dhe e ka pritur vetë Mehmeti. Këtë e dëshmon edhe djali i tij.

NA NDIQ NË FACEBOOK