Connect with us

Lajme

EKSKLUZIVE/ “Si e fshehu Ramizi faktin që Mehmeti e pyeti për fejesën e djalit”, libri i ish-kryehetuesit të diktaturës: Pse nuk e bëri kryeministri autokritikën që dëshironte Enveri

Publikuar

Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Shpjegimet e Silva Turdiut:

E para dhe e vetmja dëshmi e ish-së fejuarës së djalit të Mehmet Shehut për lidhjen me Skënderin është ajo e kumtuar në procesin e bujshëm të Kadri Hazbiut. Rrëfimi i ish-volejbollistes së njohur të klubit “Dinamo” përballë hetuesve ka qenë diçka e veçantë dhe interesante njëherazi. E thirrur në seancën e 27 dhjetorit 1982 për të penalizuar ish-ministrin e Brendshëm, sportistja e divorcuar tashmë me të birin e kryeministrit të vetëvrarë ka shpjeguar me sinqeritet e vërtetësi historinë e njohjes dhe rrethanat që kushtëzuan prishjen e fejesës me Skënder Shehun.

Fillimisht ka qenë djali i kryeministrit që ka shprehur interes për t’u njohur me vajzën e profesorit të matematikës, duke e ndaluar në rrugë një pasdite dhjetori të vitit ’80. Por ajo ka hezituar të bisedojë duke i thënë se nuk e njihte. Disa përpjekje të tjera pas kësaj të djalit të ish-kryeministrit kanë rezultuar pa sukses. Megjithatë, aventura e Shehut ka vazhduar më tej.

“Në fillim të shkurtit ’81, – pohon ish-‘dinamovitja’, – Skënderi erdhi më takoi në Shverin të Gjermanisë Lindore, ku kishim një ndeshje volejbolli me ekipin ‘Traktori’. Më tha se vinte aty nga Suedia ku ishte me studime për të parë ndeshjen”. Që këtej, sipas dëshmitares, takimet e tyre janë bërë më të shpeshta. Në korrik 1981 Skënderi shkonte gati çdo ditë në shtëpinë e pushimit të MPB-së në Durrës, ku stërvitej ekipi i saj. Në një nga takimet e radhës i shprehu edhe idenë e fejesës.

Më 31 gusht 1981 familja Turdiu ka rënë dakord dhe Qazimi, i ati i Silvës, ka pritur në shtëpi Skënder Shehun. Qazimi, duke u shfaqur hezitues për fejesën, i ka përmendur kleçkat në biografinë e familjes dhe e ka porositur t’ua bëjë të qartë edhe prindërve. i biri i kryeministrit, duke pohuar dijeninë e tyre për çka flitej, e ka ftuar profesor Turdiun për një vizitë në familjen e tij. Fill pas këtij takimi Silva ka vizituar për herë të parë shtëpinë e të fejuarit dhe ka biseduar nga afër me Mehmetin dhe Fiqiretin. Deri këtu, dëshmon e ish-e fejuara e Skënder Shehut, gjërat kanë shkuar mirë, por kreshendoja e lidhjeve të ngushta do të ndërpritej befasisht në shtatorin e vitit 1981.

Biseda për fejesën e zhvilluar në familjen Shehu.

Skënder Shehu shpjegon se: “Në korrik të vitit 1981, kur ishim në plazhin e Durrësit, unë i thashë Fiqiretit për këtë vajzë. i thashë se ishte Silva, e bija e Qazim Turdiut, profesor në universitet. Pas kësaj mësova se mamaja e njihte të shoqen e Qazim Turdiut, Turkeshën. Ato kishin qenë së bashku në shkollën femërore në Tiranë para Çlirimit të vendit. Mamaja gjithashtu e njihte shumë mirë si e afërta e Arshi Pipës, që ishte i arratisur. Megjithatë mamaja më tha që të pyesja babanë për këtë vajzë. Unë i thashë babait, Mehmetit, i cili u gëzua shumë që unë vendosa që të fejohesha. Ai u mendua, por nuk donte që të ma prishte, duke e ditur sëmundjen time dhe refuzimin e mëparshëm për t‘u fejuar. Mehmeti më tha që do të pyeste njëherë Feçorr Shehun, dhe pastaj do të më jepte përgjigje. Dhe kështu veproi.”

Mehmeti dihet se kishte pasur pakënaqësi nga një lidhje e Skënderit me një vajzë nga Lushnja. Në këto kushte, ai dhe Fiqireti e vlerësuan më të përshtatshme rastin e vajzës së Qazimit dhe reaguan pozitivisht. Interesimi i kryeministrit për sqarimin e të dhënave biografike të Turdijve “Të nesërmen në mëngjes Mehmeti e thirri Feçorrin për këtë problem. Ai, si mori informacionin dhe porosinë nga im atë, i tha se do të pyeste dhe do t‘i kthente informacion shumë shpejt. Pasdite ministri i Brendshëm Feçorr Shehu i raportoi dhe i dha dorazi babait informacionin që kishte kërkuar për Silva Turdiun. Feçorri i tha babait se Qazim Turdiu kishte dy vëllezër jashtë shtetit dhe e shoqja e Qazimit kishte të arratisur një të afërt të saj të quajtur Arshi Pipa, i cili më përpara kishte aktivitet të zgjeruar kundër vendit tonë, por tani nuk ka aktivitet. i ati i Silvës është njeri i nderuar, pedagog në Universitetin e Tiranës, i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Çmimin e Republikës. Babai e pyeti Feçorrin se si të bënte në lidhje me fejesën time dhe ai i kishte dhënë mendimin që të pyeste Partinë. Ndërsa vetë Feçorri do të pyeste atë po të gjendej në një situatë të tillë. Pas kësaj, babai e mori vendimin vetë dhe më tha se ishte dakord për t‘u fejuar me Silva Turdiun. Biseduam së bashku dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes sonë.”

Për kohën se kur do të bëhej fejesa, Skënderi ka deklaruar se: “U la që shpalljen e fejesës ta bënim më 1 shtator, kur të hynim në shtëpinë e re, që po bëhej apo zgjerohej shtëpia e vjetër. Kështu u bë.” Skënderi ka saktësuar më vonë, në vitin 2013, se në rast se babai nuk do ta pranonte fejesën, ai nuk do të ishte fejuar. Vendimi i babait do të ishte i padiskutueshëm dhe do të respektohej në mënyrë të ndërgjegjshme prej tij.

Në një emision televiziv ai është pyetur nga gazetari: “Ju ia keni thënë vetë babait për fejesën me Silvën dhe keni treguar se nëse ai nuk do t‘ju lejonte të fejoheshit, ju nuk do të fejoheshit. A mund të na e tregoni këtë moment? Domosdo që s‘do fejohesha nëse do të më thoshte jo. Fillimisht i kam thënë mamasë. i tregova se kush ishte. Ajo e dinte, sepse i njihte si familje. Më tha: Obobo, por pyet babanë. Thuaji vetë babait. Vajta te Mehmeti dhe më pyeti: Hë, ke ndonjë lajm të mirë? Po, – i thashë, – por nuk e di kam lajm të mirë apo të keq. Po pse? Sepse ishte ajo përbërja, që në atë kohë ishte problematike, por i shpjegova. Mirë, – më tha babai, – ne mund të shohim rrethin e ngushtë. Fiqireti ngulte këmbë: Shko thuaji Enverit, por nuk është ashtu siç thotë Enveri në mbledhje: pse nuk pyete asnjë nga shokët. Nuk është e vërtetë. Ai shkoi te stabilimenti dhe takoi Ramiz Alinë. E pyeti nëse e njihte dhe i tha fjalë të mira.”

NA NDIQ NË FACEBOOK