Religjion
Disa njerëz janë si kamioni për mbeturina

Kohët e fundit e kam lexuar një artikull për shejh Ali Tantavin. Për ata që nuk e dinë, ai ka ndërruar jetë në vitin 1999, ka qenë dijetar i njohur islam dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj arabë të shekullit të 20-të. Me prejardhje ishte nga Siria, kurse në vitin 1963, ishte shpërngulur në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ku ka mbajtur ligjërata në institucione akademike dhe për shumë vite e ka udhëhequr një radio emision të famshëm.
Në artikull theksohet një incident që i ka ndodhur Tantavit, derisa ndodhej në një taksi duke udhëtuar për në aeroport.
Taksisti po e drejtonte makinën me shpejtësi normale duke i ndjekur rregullat e trafikut, kur papritmas nga diku u shfaq një makinë dhe ia preu rrugën. Shoferi nuk kishte zgjidhje, pos t’i shkelë frenat dhe të shmanget nga goditja e makinës para tij. Shoferi i makinës tjetër, i cili mund të shkaktonte aksident tragjik, ishte i zemëruar dhe filloi ta fajësojë taksistin. Ai madje e fyente taksistin i cili mbeti i qetë, ishte nën kontroll, ai madje i buzëqeshi dhe ia ngriti dorën sikur po i vinte keq.
Tantavi rrinte ulur dhe po shikonte në heshtje.
“Pse i kërkove falje kur e di se ishte faji i tij?” – e pyeti Tantavi shoferin.
“O zotëri, shumë njerëz janë si kamionë për mbeturina, të cilët udhëtojnë nëpër fshatra të mbushur me mbeturina, ose me fjalë të tjera, plot me probleme, frustrime, zhgënjime apo zemërime. Kur tek njerëzit depozitohen këto ndjenja negative, atëherë vjen koha kur duhet t’u jepet rrugë. Ata pastaj kërkojnë njerëz në të cilët mund ta shfryjnë zemërimin e tyre. Unë nuk dua të jem ai person dhe nuk dua të jem si enë (kontejner).“
Tantavi ishte befasuar nga kjo përgjigje, të cilën pastaj e kishte përfshirë në artikull. “Kur të takoni njerëz të cilët janë si ky, ju vetëm buzëqeshni, anashkaloni dhe vazhdoni rrugën. Lutuni Allahut të Plotfuqishëm që t’i ndihmojë ata për t’i kapërcyer problemet nëpër të cilat ata kalojnë“, kishte thënë ai.
Nëpërmjet këtij tregimi, ne mund të nxjerrim mësime të mëdha si vetë-kontrolli dhe durimi. Duhet të mësojnë se si ta kontrollojmë dhe menaxhojmë zemërimin tonë dhe të lutemi për ata të cilët i fyejnë të tjerët në rrugë apo në ndonjë vend tjetër, sepse ata kanë nevojë për lutjet tona.
Shkruar nga: Abdulaziz es Suvejk; IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini























