Lajme
“Blogerja ruse dhe dy miqtë e saj në Shqipëri me mision nga shërbimet inteligjente”/ BIRN: Dritëhijet e akuzave për spiunazh në ish-uzinën e armëve në Gramsh

Në kafazin e tejdukshëm të një salle gjyqi në Gjykatën e Elbasanit, 23-vjeçari rus Mikhail Zorin dhe 24 vjeçari ukrainas, Fedir Alpatov u shfaqën njëri pas tjetrit me pranga në duar mesditën e së mërkurës, të ndarë nga një punonjës policie.
Svetlana Timoveefa, blogerja 33-vjeçare ruse e njohur gjithashtu si Lana Sator u ul një rresht më pas, e rrethuar nga katër policë.
Tre të rinjtë u akuzuan për spiunazh dhe goditje për shkak të detyrës nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, por dyshimet dhe provat mbetën të panjohura, pasi Ajazi i konsideroi ato si “sekret”.
“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet e intelegjencës ruse me detyra të përcaktuara,” thuhet në kërkesën për masë sigurie të Prokurorisë së Elbasanit.
Çështja u trajtua me sensitivitet edhe nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila pak minuta pas nisjes së seancës i mbylli dyert për mediat. Në fund të seancës, gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e “arrestit me burg” – vendim i cili u kundërshtua nga avokatët.
Sajmir Visha, avokat i zgjedhur nga ukrainasi Alpatov deklaroi se klienti i tij nuk ka të bëjë “në mënyrë kategorike me shërbimet ruse”.
Demir Çiftja dhe Aldi Kaçi, dy avokatë të caktuar kryesisht për Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeeva i kundërshtuan gjithashtu pretendimet e Prokurorisë, por mbajtën qëndrime të ndryshme për masën e arrestit.
Kaçi kërkoi lirimin e menjëhershëm të Timofeevës, ndërsa Çiftja e konsideroi të ligjshëm arrestimin e Zorin për shkak të përplasjes me ushtarët, por shtoi se “klienti i tij ishte trembur dhe reagoi për vetëmbrojtje”.
Timofeeva, Zorin dhe ukrainasi Alpatov njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtrake të “Luftës së Ftohtë”.
Përfshirja e tyre në incidentin e ndodhur në afërsi të ish-uzinës mekanike të armëve në Gramsh ngjalli reagime të menjëhershme dhe fitoi vëmendje ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë.
“Nuk është spiune”
Svetlana Timoveefa, e njohur gjithashtu si Lana Sator, ka një status të veçantë mes Urbex.




















