Lajme
Vriten 3 persona në Shqipëri, në atentat dyshohet se morën pjesë 4 persona

4 persona dyshohet të kenë marrë pjesë në atentatin e ndodhur këtë të diel në Fushë Krujë. Burime për Klan News bëjnë të ditur se 3 prej autorëve kanë zbritur nga makina dhe hapur zjarr në drejtim të mjetit të viktimave. Në vendngjarja mësohet se janë sekuestruar të paktën 50 gëzhoja.
Më pas autorët e dogjën makinën në fshatin Larushkë. Brenda automjetit, Klan News thotë se u gjetën 3 kallashnikovë. Makina po ashtu rezulton se ishte me targa vjedhura në Tiranë më herët gjatë këtij viti.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele në mbikalimin e Fushë Krujës. Viktima nga ky atentat mbetën Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj, të tre me precedentë penalë.
Burime për gazetarin Besar Bajraktaraj thonë se 30-vjeçari Vata, i cili arriti të dilte nga makina, ishte i plagosur dhe dyshohet se u qëlluan edhe nga afër nga autorët. Ndërsa Martinaj dhe Hoxha, u shkrumbuan në automjetin, që pas breshërisë së plumbave shpërtheu në flakë.
Trupat e tyre të shkrumbuar janë dërguar në mjekësinë ligjore, ndërsa automjeti në të cilin ndodheshin u largua nga vend ngjarja disa orë më vonë.
Hetimet për këtë vrasje të trefishtë vijojnë, ndërsa ndër pistat kryesore mbetet ajo e larjes së hesapeve./tvklan.al



















